Deputeti i PS-së Damian Gjiknuri, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, deklaroi se nëse Partia Socialiste do të priste Opinionin e Venecias, nuk do të kishim një Kod Zgjedhor deri në janar ose shkurt.
Gjiknuri theksoi se nëse kjo çështje do të shkonte deri në janar ose shkurt, nuk do të kishim një Kod Zgjedhor për vendin.
“Ne do të prisnim Opinionin e Venecias, nuk do kishim Kod Zgjedhor deri në janar ose shkurt. Kështu, çështja do të transferohej në janar ose shkurt, e vendi do të hynte në krizë kushtetutese dhe politike. Kjo ishte një lojë shumë e rrezikshme e PD-së, për të mos lejuar hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Shqipëria kurrë nuk do të duhej të shkonte në krizë. Do të shkohej në qeveri teknike dhe në marrëveshje mbarë-politike e do të ishte një marrëveshje e stimuluar, me ato kushte që ka vënë gjithmonë PD dhe LSI. Nëse do të hapeshin këta spirale të tilla, kriza do të ishte e madhe”, tha Gjiknuri.
Damian Gjiknuri nënvizoi se kërkesa në Venecia nga ana e presidentit ishte e qëllimshme dhe e rrezikshme.
“Kur të vijë opinioni i Komisionit të Venecias, do të shikojmë çfarë do të bëhet. Asnjë zë europian nuk ka thënë se nuk do hapen negociatat për shkak të kësaj. Ndërkombëtarët kanë thënë se parlamenti është legjitim.
Sa i përket koalicioneve, asnjë vend i BE nuk i ka koalicionet siç dëshiron opozita. Kërkesa në Venecia nga presidenti, e qëllimshme dhe e rrezikshme, mund të destabilizojë vendin. E gjitha është politike, aktorët politikë lëvizin sipas interesave të veta politike”, tha Gjiknuri.
g.kosovari