Shqipëria po fuqizohet gjithmonë e më shumë edhe në turizmin mjekësor, shkruan Sabah Kemel Kaddouri për filialin francez të revistës së njohur ”Forbes”:
Sipërmarrësi shqiptar, Dritan Gremi, nuk e njeh krizën. COVID-19 vetëm sa e ka shtuar fenomenin rreth konceptit të tij të turizmit mjekësor, dentar dhe estetik në Shqipëri. Në vetëm disa vjet, sipërmarrësi i vetërealizuar ka arritur të marrë një pjesë të madhe në tregun shumë tërheqës italian, para se të tërhiqte zviceranët, belgët dhe francezët. Kësaj vere, gjithnjë e më shumë francezë po largohen nga Tunizia fqinje.
Reportazh nga Vendi i Shqiponjave
Këtë mëngjes, në dhomën e pritjes, Patrik B. bombardohet me pyetje nga një çift francez, që ka ardhur një ditë më parë në Tiranë. Ndodhemi në klinikën e Gremit, “Udhëtoni dhe Buzëqeshni”, që prej vitesh ka parë një rritje eksponenciale.
“Kjo është vizita ime e tretë mjekësore. E kam filluar me vënien e protezave dentare dhe sot kam një takim për një procedurë implantologjike. Këto janë përkujdesje me kosto të tepruara në vendin tim, Belgjikë. Këtë destinacion ma sugjeroi një miku im, por duhet të them se kurrë nuk e kisha menduar spontanisht që të vija në Shqipëri për këtë lloj trajtimi. Në këtë vend, unë zbulova pajisje, si ato që mund t’i gjenim në Belgjikë dhe një mjedis shumë cilësor. Por, padyshim, ajo që më ngushëlloi më tepër ishte se ekipi i dentistëve ishte të diplomuar në universitete europiane ose amerikane”, thotë Patrick B.
“Asnjë fjalë goje për ta, ishte një reklamë në rrjetet sociale që ua mbushi mendjen atyre të hidhnin hapin”, dëshmojnë ata.
Por, nëse ka një gjuhë që dëgjohet tërë kohës në këtë dhomë pritjeje, si midis praktikuesve ashtu edhe pacientëve, ajo është italishtja. Ky është tregu kryesor për këtë rrjet klinikash dentare dhe estetike, që lulëzon në turizmin mjekësor.
“Fqinjët tanë italianë përfaqësojnë më shumë se 50% të bazës sonë të pacientëve. Ka shumë arsye për këtë: afërsia gjeografike midis vendeve tona, historia e përbashkët, gjithashtu, sepse ne kemi qenë një protektorat i Mbretërisë së Italisë. Prandaj ka ndikime të shumta në gjuhë, arkitekturë, gastronomi, aq sa qindra mijëra italianë vendosen në Shqipëri pasi dalin në pension», shpjegon Dritan Gremi, në krye të këtij biznesi të lulëzuar.
Një arsye tjetër që justifikon porozitetin e tillë midis këtyre dy vendeve është kombësia e dyfishtë e sipërmarrësit, i cili u largua shumë i ri për të jetuar ëndrrën e tij italiane atje.
Italia u pa si Toka e Premtuar nga shumë shqiptarë veçanërisht liridashës, të plagosur nga sundimi komunist.
Një hap përpara për këtë emigrant, i cili u bë milioner pas një përvoje personale vendimtare.
“Udhëtoni dhe Buzëqeshni” lindi paksa rastësisht, gjatë një pushimi në vend. Më duhej urgjentisht një dentist dhe u kurova në Shqipëri me atë rast. Duke jetuar në Itali që nga adoleshenca, nuk mendoja se do të gjeja ekuivalentin në aftësitë terapeutike dhe cilësinë e shërbimit! Me të vërtetë më befasoi”, thotë sipërmarrësi.
Me t’u kthyer në Lombardinë e pasur, ku punonte si teknik, ai ka vetëm një ide në mendje: të ndërtojë një plan biznesi për ta vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve në zhvillim në turizmin mjekësor.
Ai grumbullon fillon të grumbullojë njohuri. Në mbrëmje, ai e kalon kohën duke lexuar të gjitha ”Biblat” për menaxhimin dhe krijimin e biznesit. Me ardhjen e internetit dhe rrjeteve sociale, ai gjithashtu parashikon nevojën për të patur një vitrinë në rrjet, pastaj kalon orë të tëra autodidaktizmi për të ndërtuar një bazë të njohurive kompjuterike.
I përfshirë plotësisht nga projekti i tij, ky vizionar inkurajohet në këtë rrugë nga shefi i tij italian, i cili e fton “të mos dorëzohet”.
Gjatë periudhave plot dyshim, kjo figurë e babait zëvendësues i thotë atij se “ka shpirtin e një sipërmarrësi”.
Dritan Gremi ndihet i pathyeshëm. Në shënjestër, tregu italian i shumëdëshirueshëm.
“Sa për të filluar”, i thotë ai vetes.
Ai është një besimtar i patundur në projektin e tij klinik: njerëzit mbështeten në standarde të shumta dhe tregues elokuentë.
“Shqipëria është dy orë larg nga kryeqytetet më të mëdha europiane. Sa për Italinë, ne jemi në pragun e saj. Falë kostos së ulët të jetesës në vendin tonë, ne mund të ofrojmë ekonomi të shkallës deri në 60% të kostove të dhëmbëve. E gjithë kjo ndërsa përafron të njëjtat standarde të cilësisë”, sqaron ai.
Një kontekst që e lejoi atë të vinte së bashku me një ofertë të studiuar në mënyrë të përsosur.
“Unë kam krijuar një sektor të bazuar në një rrjet shpërndarësish të vendosur në Itali dhe Gjermani: të gjitha produktet tona kanë certifikim CE dhe gjurmueshmëri. Rekrutimi i ekspertëve mjekësorë është ekskluzivisht lokal, sepse ekspertiza korrespondon në mënyrë të përsosur me kolegët tanë në Bashkimin Europian. Në fund, ne arrijmë kursime spektakolare, nga të cilat përfiton konsumatori. Në këtë diagramë, ekziston vetëm një gjë, “kosto e ulët”: është si ajri për klientët. Por, sot kush nuk përdor ‘Easyjet’ apo ‘Ryanair’?”, shpjegon Dritan Gremi.
Shqiptari nuk ka ndërmend të kopjojë, të ngjisë atë që tashmë ekziston diku tjetër, në Tunizi, Turqi ose Kroaci, në veçanti. Ambicia e tij është edhe më e madhe: njeriu i vetërealizuar dëshiron të krijojë një “ekosistem” të vërtetë, që promovon ekonominë.
“Gjatë këtyre festave të famshme në Shqipëri, kuptova që vendi im po ndryshonte rrënjësisht. Ndjeva një ferment krijues, sipërmarrës nga të rinjtë që shikonin pozitivisht drejt Europës. Ky dinamizëm mishërohet, gjithashtu, shumë mirë nga kryetari i ri i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. I zgjedhur në 2015, në moshën 35 vjeç, ai simbolizon këtë energji. Kështu që, unë doja të integroja një dimension shoqëror në projektin tim të klinikës duke afruar të larguarit nga puna, të rinjtë që kanë braktisur shkollën dhe në vështirësi. Nuk doja që nga kjo të përfitoja vetëm unë! Kam krijuar nga e para një model risi, të rrënjosur në territor, për të ndikuar në komunitet ekonomikisht dhe shoqërisht”, thekson ky vizionar i përkushtuar.
Në të vërtetë, koncepti i tij i klinikës nuk është ndryshe nga çdo vend tjetër në këtë segment të tregut. Këtu, udhëtarët nga Franca, Zvicra ose Italia e gjejnë veten të zhytur në jetën e lagjes. Objektivi: të jetohet një përvojë gjithëpërfshirëse, që shkon përtej kujdesit dentar dhe estetik. Biznesmeni Dritan Gremi ka rehabilituar plotësisht një rrugë përreth klinikave të tij për të ndërtuar tre hotele, laboratorë mjekësorë, një restorant, një piceri, një dhomë çaji. Vende që punësojnë qindra punonjës të Tiranës. Në të njëjtën hapësirë, perëndimorët dhe shqiptarët bashkëveprojnë në një mënyrë miqësore, duke i dhënë kuptim të plotë termit “Turizëm mjekësor”.
Duke ndjekur valët e pacientëve, herë pas here një “Itali e Vogël” ose “Paris i Vogël” rindërtohet në këtë rrugë përparimtare të kryeqytetit shqiptar.
Vendasi, Dritan Gremi, gjithashtu, ndjek ambicien për t’i bërë mysafirët e tij në terapi të dëshirojnë të zbulojnë vendin e tij.
Klinika është një ofertë 360 gradëshe kujdesi mjekësor i kombinuar me një zhytje të personalizuar turistike në zbulimin e vendeve më të bukura në vend. Vendi i Shqiponjave ka kaq shumë mrekulli për të vizituar, të tilla si Riviera Shqiptare, male të virgjëra, të denja për “Game of Thrones”, vendet e listuara nga UNESCO dhe, natyrisht, Tiranën e gjallë”, argumenton nxitësi i këtij “Gremiland”-i.
Që nga krijimi i saj në 2009, klinika ka trajtuar dhjetëra mijëra pacientë. Pacientë që vijnë kryesisht për vendosjen e implanteve, protezave ose për zbardhjen dhe vendosjen e rimesave dentare. Kirurgjia kozmetike, një ofertë e aplikuar më pas, po lulëzon, me shumë europianë perëndimore dhe ballkanas në kërkim të plastikës së përsosur.
“Rinoplastikat, rritja e gjoksit, por edhe ngritja e fytyrës dhe trupit janë më të kërkuarat ndër procedurat kozmetike», thekson Anduena Çela, drejtorja e re menaxhuese e klinikave “Gremi”.
“Në çmimin e trajtimit, ne përfshijmë transportin në aeroport për ardhjen dhe nisjen, akomodimin për dy persona në një hotel, një përkthyes në frëngjisht, anglisht dhe italisht, si brenda klinikave, ashtu edhe gjatë kohës së lirë, për ture të ndryshme udhëzuese në Tiranë dhe rrethinat e saj», vazhdon kjo bionde elegante poliglote.
Për të mbështetur fuqizimin e biznesit të tij, sipërmarrësi Dritan Gremi vazhdon të rekrutojë kirurgë dentarë dhe kozmetikë dhe së shpejti ai do të ndërtojë hotelin e tij të katërt. Pandemia globale nuk i ka ndaluar aktivitetet e tij
“Turizmi mjekësor në Shqipëri është një realitet edhe në këtë kohë të COVID-19. Vendi ynë është ndër më pak të ndikuarit në planet, është një mundësi ose më mirë një sukses i vërtetë për politikën shëndetësore të kryeministrit tonë, Edi Rama. Klinikat Gremi vazhduan të rriteshin ndjeshëm, pavarësisht pandemisë. Shumë francezë, zviceranë dhe belgë na zbuluan gjatë heqjes së bllokimit, një periudhë kur klinikat dentare u mbingopën dhe u detyruan të trajtojnë vetëm raste jashtëzakonisht të rënda. Prandaj, shumë e gjetën veten të paaftë për të kërkuar trajtim», analizon 40-vjeçari.
Në “Gremiland”, koronavirusi nuk kalon dot. Italo-shqiptari është i kënaqur që nuk ka regjistruar asnjë rast në klinikat e tij, falë protokolleve të tij të rrepta antiCOVID-19. Njeriu i sotëm ka optimizëm ngjitës. Në disa vjet, ai ka arritur sfidën e tij të çmendur për ta bërë Vendin e Shqiponjave një Eldorado për turistët në kërkim të një buzëqeshjeje të re./ /ervo/