Qindra qytetarë iu janë bashkuar aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës në Malin e Dajtit për festat e 28 Nëntorit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se hapësirat në Malin e Dajtit nuk do të shfrytëzohen vetëm për raste festash, por do të përsëriten organizime të tilla dhe të kthehet në destinacion të qytetarëve.
“Ne duam që zona e Dajtit, kjo hapësirë, i gjithë ky organizim të jetë pjesë e një strukture permanente të Bashkisë së Tiranës. Nuk mund të jetë ky një aktivitet që ne bëjmë vetëm për raste festash. Ne duam që e gjithë kjo hapësirë të rezervohet si një hapësirë konstante për të pasur një mushkëri tjetër të Tiranës”, u shpreh Veliaj. Sipas tij, parku i Liqenit Artificial të Tiranës është tashmë i mbingarkuar dhe duhet gjithmonë që të shfrytëzohen të gjitha asetet që ofron parku i Mali të Dajtit.
Kryebashkiaku vlerësoi se Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit po punon për të mobilizuar dhe njohur qytetarët për parqet që rrethojnë qytetin. Ai solli në vëmendje se gjatë takimeve të zhvilluara me njerëzit në këtë aktivitet është njohur me raste të personave që kanë shitur makinat e tyre për të blerë biçikleta.
“Kjo është Tirana e shëndetshme që ne duam të promovojmë, ku asetet e natyrës janë në fakt për të ndihmuar shëndetin e njerëzve. Nesër do të pasojnë aktivitete të tjera, në zemër të Tiranës. Do të kemi një ditë tjetër pa makina dhe rreth 40-50 aktivitete në çdo cep të Tiranës, për të promovuar Tiranën e shëndetshme, që është pro natyrës, Tiranën që ndihmon ekonominë vendore”, tha Veliaj.
Në përfundim të fjalës së tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës ftoi të gjithë qytetarët që të mos largohen nga Mali i Dajtit pa shpenzuar të paktën 10 mijë lekë (të vjetra) tek fermerët që kanë produkte bio, produkte të prodhuara në Shqipëri, “Made in Tirana”, “Made in Albania”, sepse është e vetmja mënyrë se si të ndihmojmë ekonominë lokale.
ATSH