Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), me mbështetjen e Komiteteve të saj për Sigurinë e Informacionit dhe Sigurinë Bankare, organizoi këtë fund javë forumin kombëtar me temë “Banka të sigurta, klientë të mbrojtur”.
Forumi zhvilloi punimet e tij për të katërtin vit radhazi, në ambientet e Tirana International Hotel, me pjesmarrjen e përfaqësuesve të bankave tregtare në Shqipëri dhe Kosovë, të Bankës së Shqipërisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT); Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik (AKCE); dhe përfaqësues të kompanive që ofrojnë shërbime dhe produkte në fushën e sigurisë së informacionit dhe fizike në sektorin bankar (Deloitte, PWC, INFIGO, Coin Systems).
Edhe këtë vit Forumi shërbeu si një platformë për të shkëmbyer ide dhe eksperienca, si dhe zhvillimet e dinamikat më të fundit në nivel kombëtar e ndërkombëtar, të sigurisë fizike dhe asaj të informacionit në industrinë bankare.
Endrita Xhaferaj, Sekretare e Përgjithshme e AAB-së dhe Petrit Balija, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, në fjalën e tyre të mirëseardhjes përshëndetën të pranishmit dhe theksuan se siguria e klientëve të bankave është një prej objektivave kryesore në zhvillimin e sektorit bankar.
Seksioni i parë u fokusua në sigurinë e informacionit me prezantime që paraqitën trendet më të fundit të cënimeve të sigurisë; zhvillimet rregullative mbi identifikimin dhe mbrojtjen e Infrastrukturave Kombëtare Kritike të Informacionit (CIIP) në Shqipëri, dhe rregullimin e nënshkrimit dhe autentikimit elektronik; sfidat dhe avantazhet e krijimit dhe zhvillimit të Qendrave të Operacioneve të Sigurisë në banka, apo pikëpamje më teorike mbi manaxhimin e rrezikut në sigurinë e informacionit dhe manaxhimin e incidenteve. U prezantuan gjithashtu zgjidhje teknologjike të ofruara nga kompani apo ndërtuara nga vetë banka për parandalimin e rrjedhjes së të dhënave apo për kontrollet e sigurisë për baza të dhënash.
Në seksionin e dytë u adresuan çështje të sigurisë fizike në sistemin bankar dhe tendenca e krimit gjatë vitit 2015 në Shqipëri, ndërkohë që pjesëmarrësit nga Kosova sollën një pasqyrë të pasur të tendencave dhe zhvillimeve të viteve të fundit si në sulmet fizike ashtu edhe ato kibernetike përkundrejt bankave në Kosovë. Pjesëmarrësit diskutuan mbi elementë të rëndësishëm të sigurisë fizike, si transportimi i vlerave monetare apo kasafortat dhe standardet e tyre.
Në përfundim, të gjitha grupet e interesit pjesëmarrëse në forum, theksuan edhe njëherë nevojën për bashkëpunim të të gjitha palëve me fokus mbrojtjen e klientëve.
ATSH