Në një intervistë për gazetën e së dielës REAL NEWS ministri I Jashtëm grek Nikos Dendias është pyetur midis të tjerash edhe për marrëveshjen e bërë me Shqipërinë për të çuar çështjen e delimitimit të kufijve detarë në gjykatën e Hagës.
“Ju keni rënë dakord me Shqipërinë për një apel të përbashkët në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë për zonat detare. A mund ta pengojë pala shqiptare apelimin?”
Dendias: Së pari, unë do të doja të theksoja se ashtu si me marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin, edhe në rastin e Shqipërisë, Greqia po provon në praktikë se mund të zgjidhë problemet, me busull të Drejtën Ndërkombëtare, dialogun konstruktiv dhe parimin e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve. Me fjalë të tjera, ajo e di mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe udhëhiqet nga ajo edhe në rastin e Shqipërisë, e cila po punon në mënyrë që të jetë anëtare e familjes evropiane. Ne kemi rënë dakord me Shqipërinë për të punuar së bashku qe te dorëzojmë çështjen e delimitimit të zonave detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, pas përfundimit të procesit të zgjerimit të ujërave territoriale të të dy vendeve në 12 milje detare sipas Ligjit Ndërkombëtar te Detit.
Për sa kohë që ka vullnet, vlerësoj se procesi nuk do të jetë problem. Zgjidhja e kësaj çështje të ngelur pezull do të jetë e dobishme për të dy vendet. Ekzistojnë pra, të gjitha arsyet për të ruajtur klimën e besimit dhe respektit të ndërsjellë, e cila u theksua nga të dy palët gjatë vizitës sime të fundit, dhe për të forcuar agjendën pozitive në marrëdhëniet tona dypalëshe. Greqia duhet të krijojë një marrëdhënie strategjike me Shqipërinë dhe mendoj se pala shqiptare është shumë pozitive në një drejtim të tillë./Top Channel
/e.rr