Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për Grid Lenon, Albin Hoxhën, Maringlen Matohitin dhe Enea Hoxhën. Ata akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë, ndaj biznesmenit Andon Dhima, mbrëmjen e 15 Tetorit në Tiranë.
Të arrestuarit nuk i kanë pranuar akuzat duke thënë se nuk kanë pasur asnjë qëllim për të vrarë apo kërcënuar Andon Dhimën.
Por Prokuroria thotë se ka në dispozicion pamje të shumta filmike, se si mbrëmjen e 15 Tetorit rreth orës 22:00, Grid Leno dhe Albin Hoxha ndoqën nga pas biznesmenin 51-vjeçar, kur ai po hynte në banesë.
Nga këqyrja e imtësishme e këtyre pamjeve është vënë re së të dy kanë qenë të armatosur dhe plani i tyre dështoi, për shkak se Dhima arriti të merrte në kohë ashensorin. Prokurorët kanë në dispozicion edhe armën, makinën dhe veshjet e sekuestruara që autorët përdorën natën e ngjarjes
Hetimet vijojnë për zbulimin e porositësve, pasi biznesmeni nuk ka pasur asnjë konflikt me të arrestuarit. Hetimet nisën nga denoncimi në polici i vetë biznesmenit që rrëfeu se 2 persona kishin tentuar ta eliminonin fizikisht. Në një reagim të bërë pas arrestimit të 4 autorëve të dyshuar ai kërkoi zbardhjen deri në fund të ngjarjes dhe gjetjen e urdhëruesit të atentatit ndaj tij.
Biznesmeni thotë se inkurajon institucionet ligjzbatuese që t’i shkojnë deri në fund tentakulave të krimit dhe kërkon që ato të mos ndalen përpara asnjë presioni apo shantazhi të drejtuesve të caktuar mediatike të lidhur me krimin.
Sipas policisë, Grid Leno dhe Albin Hoxha ishin personat që të maskuar e ndoqën biznesmenin nga pas me qëllim për ta ekzekutuar në hyrje të pallatit. Ndërsa Mariglen Matohiti dhe Enea Hoxha dyshohet se ndihmuan autorët e dyshuar për t’u larguar.
Më herët gjatë ditës së sotme, Greta Matohiti, bashkëshortja e Mariglen Matohitit dhe njëkohësisht motra e Grid Lenos, mohoi që ata të kenë lidhje me ngjarjen.
/a.r