Në Fishtë të Lezhës, kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer ironinë me Presidentin Ilir Meta. Kreu i qeverisë tha se ata që japin dekorata sot, ia japin “vetes për t’i dhënë një fuqi imagjinare mbi të tjerët”.
“Por fatkeqësisht për Fishtën gjërat nuk shkuan edhe aq mirë, as kur ndryshoi regjimi dhe emri i tij u mor dhe u përdor si këto dekoratat që shpërndahen sot, të cilat thuhet se janë për ata të cilëve u jepen, por janë thjesht dekorata për ata që i japin. Ia japin vetes për t’i dhënë një fuqi imagjinare mbi të tjerët. Kështu Fishta u fut në të gjitha gojët e çliruara të atyre që u sollën si përulësit e lirisë dhe demokracisë dhe në fakt, gurët e shtëpisë së tij u morën pikërisht kur emri i tij u kthye në skenë si një pikë referimi. Në 1991 kjo shtëpi u shpall monument kulture dhe në 1994-ën u shkatërrua”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek Teatri Kombëtar dhe u shpreh se godina që u shemb nuk ishte monument kulture.
“Papritur e pa kujtuar pasi ne nuk kemi bërë ndonjë mrekulli, por kemi bërë më shumë se sa të gjithë të tjerët marrë sëbashku në dekada, na doli papritur një shpirt revolte për një godinë në mes të Tiranës që nuk ishte as monument kulture, dhe që nuk kishte asnjë lidhje me trashëgiminë kulturore dhe të gjitha arsyet pse ne jemi sot këtu dhe ndihemi mirë përpara një shtëpie modeste me dy kate. Edhe ajo ishte një tregues rrëqethës i një të vërtete shumë të thjeshtë, të devijimit në rrugë të paditur për shkak të mos ushqimit në shumë e shumë vite, me dekada, me bukën e kulturës”, tha Rama.
Deklaratat Rama i bëri gjatë një ceremonie në shtëpinë e At Gjergj Fishtës.
/a.r