Nga Mero Baze
Gazeta TemA ka publikuar sot një letër të familjes së Remzi Hoxhës shkruar në vitin 1995, i cili është zhdukur 25 vite më parë nga Shërbimi Informativ, nën dijeni dhe urdhër të Sali Berishës.
Letra përshkruan çdo detaj të momenteve të para kur e rrëmbyen zyrtarisht Remzi Hoxhën, si i vunë prangat, si u rikthyen në vendin e ngjarjes për të bërë kontrollin e veturës, si më pas policia e Rajonit nr. 3 kishte nisur procedurën e hetimit dhe e kishte anuluar, dhe kalvarin e mëtejëm të tyre, duke njoftuar Sali Berishën, kryeministrin Aleksandër Meksi dhe me radhë gjithë personalitetet dhe institucionet shtetërore dhe politike të shqiptarëve në Ballkan.
Në letër janë emrat e të gjithë atyre që janë marrë me zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe që e kanë fshehur ngjarjen.
Sot familja ka vendosur të ngrejë një memorial për njeriun e tyre, duke pranuar dështimin në gjetjen e trupit të tij. Por ndonëse ata nuk kanë gjetur trupin e zhdukur, ata kanë gjetur autorin. Përgjegjësi dhe urdhëruesi kryesor i këtij rrëmbimi, Sali Berisha, është ende i gjallë.
Si për shumë krime të tij, edhe për këtë krim, Sali Berisha ka stilin që thotë disa variante të ndryshme, me qëllim që të bëjë të paditurin.
Herën e fundit që ka dalë në medie, ka thënë se për herë të parë për këtë gjë ka dëgjuar nga Adem Demaçi një vit e ca më vonë.
Në fakt, letra që po botojmë dëshmon se ai ka marrë zyrtarisht letër dhe telegram nga familja që muajin e parë, ndërsa unë kam dëshmuar publikisht se jam personi që e kam vënë në dijeni një ditë pas rrëmbimit, pasi më kontakuan familjarët e të ndjerit, si gazetar dhe si ish- mik dhe i njohur i Remziut.
Duke përdorur njohjen tim dhe të kolegut tim Ylli Rakipi si gazetarë, me Sali Berishën, ja kemi shpjeguar në zyrën e tij rastin dhe ai ka dëshmuar së paku se ka qenë i informuar në detaje se çfarë kishte ndodhur, dhe sugjeronte të mos merreshim me këtë çështje, pasi ai herë ishte agjent i UDB, e herë ishte implikuar në një atentat të dështuar ndaj Gligorovit. Të dyja, broçkulla të sajuara pas zhdukjes së tij.
Krimi i vrasjes dhe zhdukjes së një personi, nuk parashkruhet. Bashkim Gazidede ka vdekur. Oficeri përgjegjës për vrasjen e tij është zhdukur me ndihmën e Sali Berishës dhe nga vendi ku mbahej në mbikqyrje.
Rrëmbyesi i tij Arben Sefgjini, qëndroi deri në fund të vitit 2013, drejtor i rëndësishëm i Qeverisë “Berisha”, edhe pse kishte dënim nga gjykata për përfshirje në zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Familja ka humbur betejën shpirtërore, për gjetjen e trupit të familjarit të tyre, por beteja ligjore duhet të vazhdojë.
Mjaftojnë deklarimet e gënjeshtërta të Sali Berishës dhe kontradiktat në deklarimet e tij, që ai të merret në pyetje zyrtarisht, duke rihapur hetimet dhe duke marrë një për një gjithë personat e implikuar.
Shqipëria sot ka lejuar të ngrihet një monument për të nderuar një qytetar të zhdukur nga shteti shqiptar, i cili nderon të zhdukurin, por turpëron Shqipërinë.
Ai është një kryq i rëndë turpi mbi shpaltullat e shtetit shqiptar, që na damkos si shtet vrasës, dhe nuk kemi pse e mbajmë këtë damkë për shkak të Sali Berishës.
Merreni qoftë dhe me barrela në qeli, si përgjegjësin e vetëm dhe urdhëruesin e kësaj historie. Për fat ka ende dëshmitarë që provojnë gënjeshtrat e tij.