Një alternim mes mësimit online dhe auditorit, kështu pritet të nisë viti i ri akademik me datë 2 nëntor. Kryetari i konferencës së rektorëve dhe njëkohësisht rektori i Universitetit të Tiranë, Artan Hoxha tha se të gjitha universitet po angazhohen të kenë platforma të unifikuara për zhvillimin e mësimit online.
“Një alternim midis mësimit në auditor me mësimin në distancë. Të gjitha institucionet po angazhohen që të kenë platforma të unifikuara. Garanton që procesi të zhvillohet normalisht. Po trajnohen në përdorimin e sistemit pedagogët, administratorët, studentët me qëllim që fillimi i vitit të ri akademik të na gjejë të pregatitur për zhvillimin e proceseve akademike”– u shpreh Artan Hoxha.
Sa u përket tarifave, Hoxha shpjegoi se nuk do të ketë përgjysmim të tyre.
“Tarifat janë ato që janë të përcaktuara me Paktin për Universitetin, pra është e njëjta teknologji që ka qenë, nuk ka ndryshuar asgjë. Mund të flitet për rishikim të tarifave në ciklit e dytë. Cikli i dytë i studimeve nuk është i detyruar. Ciklet e dyta të studimeve kudo në botë paguhen”-shpjegoi rektori i Universitetit të Tiranës.
Rritja e notës mesatare për degën e mësuesisë në 7.5 ka ndikuar në uljen e aplikimeve dhe sipas Hoxhës kjo nuk është e arsyeshme.
“Nota për të hyrë në universitet minimum është nota mesatare 6.5 kurse mësuesia është me 7.5 pra e ka një notë më të lartë, ne themi që kjo nuk është e arsyeshme. Ne mendojmë se ngritja e notës mesatare ka ndikuar në uljen e aplikimeve por njëkohësisht edhe kohëzgjatja për të dalë mësues mund të jetë një element që e ul këtë aplikim”-tha më tej Hoxha.
Për herë të parë pas 4 vitesh u mblodh konferenca e rektoreve që është një organ ndërmjetës e përfaqësues me rektor të universiteteve publike dhe jopublike.
/e.rr