Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët po marrin vendimin që do t’i japë formë vendit të tyre, për vitet dhe dekadat e ardhme. Si do të ndryshonte Amerika, në varësi të cilit zgjidhet, dhe si ndikohet Ballkani e shqiptarët, nga njëri apo tjetri ndër dy djemtë e vjetër që garojnë? Ambasadori, Fatos Tarifa foli mbi fushatën e Trump dhe Biden, në Dita Jonë.
“Fushata në SHBA është unike. Ka ngjallur kaq shumë interes dhe kjo duket edhe në numrin e votuesve që mund ta mbajnë Trump si president ose mund ta largojnë atë përfundimisht nga jeta politike. Rezultati i kësaj fushate pritet me interes në të gjithë botën, pasi Amerika sot është si Franca në kohën e Napoleonit. Sot, është shumë e vështirë të masësh opinionin e amerikanëve, por trendët janë shumë të qarta, Biden është përpara.
Unë besoj se Amerika dhe amerikanët do të fitojnë nga këto zgjedhje. Zakonisht një kandidat për president e ka më të lehtë të fitojë nëse presidenti ka qenë në detyrë për 8 vite, por pakënaqësia ndaj Trump është rritur. Presidentët që vlerësohen si të mirë mbajnë dy mandate. Të dobëtit largohen pas një mandati. Jimmy Carter, i pari, George H. W. Bush, i dyti dhe Trump besoi se do të jetë i treti që nuk do të qëndrojë dy mandate”.
Por si do të ndikojnë zgjedhjet në SHBA në situatën në Ballkan? “Komuniteti shqiptar në Amerikë është më i përçarë se sa në Shqipëri. Kanë ndjekur një politikë që i kanë mbështetur të dy kandidatët për të përfituar nga çdonjëri prej tyre. Unë besoj se ajo që Amerika bën për Ballkanin apo për Shqipërinë, kjo është tejet e ekzagjeruar. Ballkani nuk është më në fokusin e politikës amerikane, siç ishte në vitin 1999. Për këtë arsye, fitorja e Biden, i cili ka një histori të suksesshme, do të ishte në të mirë të interesave të shqiptarëve, ndryshe nga Trump. Edhe marrëveshja e fundit më shumë i intereson atij”, u shpreh Tarifa.
g.kosovari