“Me vendimin që dha dje gjykata për të lënë në burg dy vëllezërit, tregoi se na është hequr padrejtësisht liria. Kemi denoncuar dhe më parë se ngjarja po manipulohej”. Kështu ka deklaruar familja Cali, e cila shpreh revoltë për vendimin e djeshëm të Gjykatë së Kurbinit, e cila caktoi masën “Arrest me burg” për
Gjergj dhe Nikollë Calit sa i takon konfliktit të disa muajve më parë me deputetin Armando Prenga.
Në një prononcim për Neës24, Calët pohuan se gjatë procesit hetimor po shkatërroheshin provat, në një kohë që sipas ata ishin në spital.
“Vetëm pas denoncimit tonë u njoftua për ngjarjen. Policia dha versionin që e urdhëruan të japë. Ne do ta vazhdojmë betejën për të fituar lirinë. Gjykata dje, ishte peng i një vendimi të padrejtë”, përfundon reagimi i familjes Cali.
VENDIMI I GJYKATËS
Gjykata e Kurbinit vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për vëllezërit Cali, të cilët afro tre muaj më parë u përfshinë në konflikt të armatosur me deputetin
Armando Prenga. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, u vendos lënia në qeli e Gjergj dhe Nikollë Calit, ndërsa Gjok Cali u la i lirë. Ndaj këtij të fundit u vendos
masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”. Vëllezërit Gjergj e Nikollë Cali akuzohen për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.
Ata u përfshinë në konfliktin e armatosur në komisariatin e policisë së Kurbinit. Ngjarje kjo e ndodhur më 4 shtator për lagunën e Patokut, ku mbetën të plagosur
shtatë persona. Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka vendosur “Arrest shtëpie” për deputetin Armando Prenga, i cili akuzohet për plagosje të lehtë. Procesi gjyqësor në
lidhje me konfliktin për lagunën e Patokut, ku u përplasën familjet Cali dhe Prenga, do të zhvillohet i ndarë.
Disa javë më parë, Prokuroria e Përgjithshme, materialet në ngarkim të Gjergj, Nikollë dhe Gjok Calit ia kaloi për kompetencë prokurorisë dhe gjykatës së Kurbinit. Në Gjykatën e Lartë do të zhvillohet vetëm procesi ndaj deputetit Prenga.