Në të njëjtën kohë kur krerët e shtetit festonin Pavarësinë në Vlorë, opozita, e cila feston sot edhe Çlirimin nga pushtuesit nazi-fashistë, zhvilloi homazhe në varrezat e dëshmorëve në Tiranë. Kryeopozitari Lulzim Basha, ish-kryemisnitri Sali Berisha, deputetë, këshilltarë të djathtë të bashkisë Tiranë dhe mbështetës të opozitës u përulën para memorialit të dëshmorëve. Pas homazheve, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dha një mesazh të shkurtër urimi për shqiptarët.
“Sot nga altari i martirëve të kombit dua t’i uroj të gjithë shqiptarëve, trojeve shqiptare dhe shqiptarëve në mbarë botën gëzuar festën e Pavarësisë, gëzuar festën e Çlirimit. Dua të festoj me gjithë qytetarët shqiptar, sakrificën sublime për mijëra burra e gra që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë nga okupatorët nazifashistë. Asnjë komb tjetër nuk ka paguar më shtrenjtë se shqiptarët. Por kjo liri është e paplotë pa lirinë nga varfëria dhe arroganca. Kjo festë do shërbejë për të bashkuar shqiptarët për ti dhënë një dimension të ri lirisë”, – tha Basha.