Telashe në horizont për Realin e Madridit që pas humbjes në El Clasico mund të përballet me një kundërshtar edhe më të fortë.
Bëhet fjalë për FIFA-n që sipas gazetës “El Mundo Deportivo”, përgatitet të veprojë me dorë të hekurt edhe ndaj klubit “Merengues”, ashtu siç ndodhi në rastin e Barcelonës. Institucioni në fjalë po planifikon ngrirjen e merkatos së Realit të Madridit në dy sesionet e radhës për shkak të parregullsive të identifikuara në transferimin e lojtarëve minorenë.
Një masë e tillë dhe për të njëjtin shkak u ndërmor edhe ndaj katalanasve të cilët e shlyejnë pezullimin në datën 1 Janar të vitit 2016. Sipas po të njëjtës gazetë, gjatë hetimeve, FIFA ka evidentuar parregullsi në kontratat e 50 lojtarëve të rinj që aktivizohen në ekipet zinxhir të Realit.
Klubi mbretëror është përpjekur të provojë të kundërtën por mesa duket tashmë vendimi i FIFA-s është marrë edhe pse nuk është bërë ende zyrtar. Në këtë pikë, presidenti Florentino Perez shpreson që vendimi zyrtar të publikohet pas merkatos së dimrit ku do të tentojë ta forcojë sa më shumë skuadrën e tij pasi merkatoja e verës së vitit 2016 mund të bllokohet.
Nëse ky skenar realizohet, atëherë mund të komplikohet më shumë situata edhe për klubet në ndjekje të Cristiano Ronaldos, i cili ka dhënë shenja se cilkli i tij te Reali i Madridit është drejt fundit. Edhe pse portugezi lidhet nga një kontratë e majme në Madrid, Paris Saint Germain dhe Manchester United po përgatiten për një duel në distancë gjatë merkatos së verës.
Tërheqja e Realit nga bisedimet mund të konsiderohet e sigurt nëse merkatoja në hyrje do të bllokohet pasi klubi “Merengues” dëshiron ta zëvendësojë menjëherë numrin 7 në rast të një largimi të mundshëm. /Telegrafi/