Familja Vasili, me origjinë shqiptare, është në ankth prej të premtes për zhdukjen pa gjurmë të vajzës së tyre 19-vjeçare Artemis Vasili, në Koropi.
Siç tregojnë familjarët, e reja doli nga shtëpia për të dhënë një intervistë pune në një dyqan lodrash por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Frika e familjes për fatin e fëmijës së tyre shtohet ndërsa sot është dita e pestë që ndodhet larg shtëpisë dhe nuk kanë asnjë lajm prej saj.
Prindërit po kërkojnë përgjigje në lidhje me zhdukjen e vajzës së tyre, në telefonin e saj celular dhe në llogaritë e saj në rrjetet sociale ndërsa ditën e zhdukjes së saj, Artemis u regjistrua nga një kamera sigurie duke ecur në një rrugë në Koropi në mesditë.
Kamera e sigurisë e regjistroi vajzën duke kaluar para një dyqani pak pas orës dy pasdite, duke kaluar rrugën për të marrë autobusin.
Sipas asaj që është bërë e ditur, vajza 19-vjeçare shkoi në një stacion autobusi më të largët nga ai ku duhet të ndalonte, fakt ky që shqetëson familjen e saj. Por nga ana tjetër askush nuk e di nëse Artemis hipi në autobus apo jo.
Në të njëjtën kohë, Life Line dhe specifikisht shërbimi Silver Alert do të kërkojë bashkëpunimin e Prokurorit, për të filluar të gjitha procedurat e nevojshme për hapjen e llogarive të 19-vjeçares, në mënyrë që të gjejnë se më ka biseduar dhe më kë kishte kontaktuar në periudhën e fundit para zhdukjes së saj.
Sipas babait të Artemis, i cili foli për protothema.gr, vajza e tij u zhduk të premten e kaluar pasdite. Duke u larguar nga shtëpia, ajo informoi prindërit e saj se do të jepte një intervistë pune në një dyqan lodrash të njohur në Koropi.
Prindërit ishin të qetë që fëmija i tyre do të shkonte atje, por sipas hetimit të policisë, Artemis nuk shkoi kurrë dhe autoritetet tani janë fokusuar te rrjeti i saj shoqëruar.
Sipas asaj që është bërë e ditur, vajza kishte takuar dikë përmes facebook dhe së fundmi ishte ndarë nga 24-vjeçari me të cilin ishte në lidhje, gjë që e kishte mbyllur në vetëvete.
Babai i saj e përshkruan si një vajzë të ëmbël, e qetë dhe e ndrojtur dhe i bën thirrje kujtdo që di diçka rreth saj të kontaktojë me ta në mënyrë që kjo çështje të ketë një fund të lumtur.
Raportohet se ditën kur ajo u zhduk kishte veshur pantallona të zeza, këpucë të bardha, një këmishë bojë qielli me vija të bardha dhe syze optike në ngjyrë argjendi.
g.kosovari