Duket se kur vjen puna tek maskat, Presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë qëndrime të ndara. Ndonëse është kundër gjobës, Presidenti Ilir Meta e mbështet mbajtjen e maskave, ndryshe nga Kryemadhi, e cila është shprehur kategorikisht kundër vendosjes së saj.
Ju jeni kundër gjobës në përgjithësi, apo jeni kundër vendosjes së gjobës në faturën e OSHEE? Sepse gjobitje për mosvendosje të maskave ka edhe në Gjermani, në Kosovë, në rajon, e para. E dyta, ju personalisht e zbatoni këtë akt normativ, e vendosni maskën, sepse kemi dëgjuar bashkëshorten tuaj që është kategorikisht kundër vendosjes së maskës.
“Së pari u bëj thirrje të gjithë qytetarëve siç kam vepruar që në fillimet e kësaj sfide me pandeminë, të jenë sa më të kujdesshëm, të respektojnë të gjithë rregullat që komunikojnë autoritetet e Shëndetit Publik. Në rastin konkret, të gjithë ata që kanë mundësi, t’i mbajnë maskat. Të gjithë ata që kanë mundësi t’i blejnë, t’i blejnë. Por mos harrojmë edhe tjetrën, që një pjesë e madhe, është edhe në këtë pamundësi, sepse i dini edhe cilët janë treguesit e varfërisë”.
“Jam kundër atyre që bëjnë thirrje të mos i mbajnë maskat, përkundrazi, të gjithë t’i mbajnë, kush ka mundësi sa më shumë. Ndërkohë që qeveria duhet të kishte marrë masat për të mbështetur me maska edhe qytetarët që nuk kanë mundësi, edhe t’i mbështeste më mirë, edhe gjithë personelin që është në vijën e parë të luftës me këtë pandemi”.
Deklaratat, Presidenti Ilir Meta i bëri gjatë komunikimit me gazetarët të mbajtur këtë hëne, ku ndër të tjera deklaroi se “përmbajtja e aktit që gjobit qytetarët për mosmbajtjen e maskave është një maskaradë sepse shkel në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve shqiptarë”.
/a.r