Kina vazhdon të jetë ekonomia e vetme në botë që tregon rritje pozitive në vitin 2020 pasi PBB-ja e saj parashikohet të zgjerohet 1.9 për qind këtë vit, sipas parashikimit të fundit ekonomik nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Falë një rimëkëmbje më të shpejtë nga sa pritej, rritja e Kinës do të përshpejtohet në 8.2 për qind vitin e ardhshëm, tha FMN-ja në Parashikimin mbi Ekonominë Botërore.
Kryeekonomistja e FMN-së, Gita Gopinath, tha se Kina kryeson shifrat botërore dhe se pa Kinën “rritja kumulative për 2020-n dhe 2021-n është negative”.
Në fund të shtatorit, Banka Botërore vlerësoi se ekonomia e Kinës pritet të rritet me 2 për qind në vitin 2020, nga parashikimi prej 1 për qind që kishte dhënë në qershor.
FMN-ja parashikoi një tkurrje globale në vitin 2020 prej 4.4 për qind, një përmirësim në krahasim me parashikimin 5.2 për qind në qershor, kur mbyllja e bizneseve arriti kulmin. Pavarësisht rishikimit të parashikimit, kjo mbetet kriza më e rëndë ekonomike që nga Depresioni i Madh i viteve ‘30.
Shumë ekonomi kanë filluar të shërohen më shpejt sesa parashikohej pas rihapjes, por me vazhdimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, ngritja e ekonomisë globale në nivelet parapandemike ka shumë sfida, sipas parashikimit.