Edhe pse zgjedhjet e 25 prillit 2021 duan edhe pak muaj, duket se koalicioni opozitar, ende nuk ka asgjë të përcaktuar, sesi do të garojë në këto zgjedhje.
Aleati i Lulzim Bashës, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu i ka drejtuar një mesazh të fortë kreut të PD-së, ndërsa është shprehur se të gjithë duan të dinë se ku qëndron opozita shqiptare ndërsa shtoi se është nevoja e një platforme bashkë-qeverisëse.
Nga Shkodra, ku u takua me strukturat e PR, Mediu tha se është koha të organizohet politikisht e djathta për përfshirjen e aktorëve të tjerë të partisë në zgjedhje.
Më tej, ai theksoi se nëse do të jetë një, dy koalicione apo partitë do dalin më vete kjo do të vendoset më vonë. Ai shtoi se qytetarët kanë nevojë të dinë se çfarë ofron opozita.
“Unë jam në takim me strukturat e PR. Do diskutojmë për ato që do bëjë partia jonë. Duhen përfshirë energji të reja dhe njerëz të rinj. Brenda kësaj PR do përcaktojë edhe kandidaturat e veta edhe marrëdhëniet me koalicionet opozitar.
Të gjithë duan të dinë se ku qëndron opozita shqiptare. Ka nevojë për një platformë bashkë-qeverisëse. Variantet elektorale janë të gjitha të hapura për faktin se mendoj se ne duhet të maksimalizojmë votën duke përfshirë edhe të majtën edhe të djathtën.
Ne do të shikojmë atë që është më racionale dhe më e mira për të fituar zgjedhjet. Kam thënë që nëse PR do të kishte 22 deputetë dhe Rama të ishte kryeministër dhe nëse PR do kishte 2 deputetë dhe Rama të ikë nga kryeministri do zgjidhja këtë të dytën.
Qëllimi është largimi i këtij regjimi të korruptuar. Unë jam dakord me atë që gjykoj që është e drejtë. Pretendoj se duhet të organizojmë politikisht të djathtën. Të mos jetë vetëm raporti i liderëve.
Do jetë një, dy koalicione apo partitë do dalin më vete, kjo është një çështje që vlen për t’i diskutuar. Për herë të parë në historinë politike nuk kemi akoma kodin zgjedhor ndërkohë që partitë politike duhet të regjistroheshin prej 6 shtatorit.
Rama do të garantojë vjedhjen e zgjedhjeve me ligj. Vonesat janë përgjegjësi e Ramës dhe e qeverisë së tij. Ai po i çon qytetarët në një konflikt të hapur.
Unë jam i qartë me zotin Basha por dua të jem i qartë me veten time. Qytetarët kanë një pyetje se çfarë ofron opozita.
Kemi një detyrë që t’i japim të djathtës shqiptare atë formë dhe atë marrëdhënie me qytetarët që e djathta të qeverisë.
Sa më e fortë të jetë PD, aq më i fortë është koalicioni. Çdo lloj marrëdhënie që do krijonte dualizëm në koalicion, do krijonte problem në qëndrimin e PD, do ishte në dëm të shqiptarëve dhe vetë opozitës”, tha Mediu.
/e.rr