Pas një periudhe të gjatë, qeveria ka vendosur që kinematë të rihapen për publikun. Urdhri për hapjen e tyre është botuar këtë të mërkurë në Fletoren Zyrtare.
Në të përcaktohet se “aktiviteti i kinemave të ofrohet në përputhje me protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19″
“Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 7, pika 4, të ligjit nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-19, nenit 113, të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, si dhe vendimit të Komitetit Teknik nr.4540, datë 9.10.2020, Urdhëroj:
Në urdhrin nr. 351, datë 29.5.2020 “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, të ndryshuar, bëhet ndryshimi si më poshtë vijon: 1. Në pikën 3, germa “b”, termi “kinematë”, shfuqizohet. 2. Aktiviteti i kinemave të ofrohet në përputhje me protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. MINISTËR I SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, Ogerta Manastirliu”, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.
/a.r