Këto pamje do të jenë të paharrueshme. Kthehen gjithmonë në kujtesë sa herë flitet për suksesin historik të kombëtares së Shqipërisë. Ishte 14 tetori i 2014 dhe që nga ajo ditë në stadiumin e Beogradit, që i hapi rrugën kualfikimit të skuadrës kuqezi në finalet e Euro 2016 kanë kaluar saktësisht 6 vjet.
Shumë për kohën futbollistike dhe si pasojë shumë gjëra kanë ndryshuar në përfqësuesen shqiptare. Gjashtë vjet më vonë ajo zbret sërish në një transfertë, pa ngarkesën ekstra-futbollistike që kishte sfida me Serbinë, por gjithsesi me presionin për t’u kthyer te suksesi.
Shqipëria luan në fushën e Lituanisë, sfidën e katërt në Ligën e Kombeve. Me një humbje dhe një barazim në dy ndeshjet e fundit, kuqezinjtë e Edi Reja kanë mision tri pikët dhe për ta përmbushur këtë, tekniku pritet të bëjë të tjera ndryshime në formacion, ndërsa nuk do të mungojnë debutuesit në koherncë me objektivin tjetër, atë të rinovimit të skuadrës me sytë nga Euro 2024.
Nga transferta kundër Kazakistanit nuk ka lëvizje në portë dhe mbrojtje. Berisha poshtë shtyllave dhe përpara tij treshja Gjimshiti, Dermaku dhe Kumbulla. I kritikuar se aktivizon lojtarë të papërshtatshëm për modulin e preferuar të tij 3-5-2, Reja do të ndryshojë të dy krahët. Doka pritet të jetë një nga debutuesit në të djathtë, ndërsa në të majtë rikthehet Lenjani.
Bare dhe Kallaku janë sërish titullarë, ndërsa me Abrashin të dëmtuar, për vendin e tij në mesfushë në balotazh janë Laçi dhe Çekiçi, që gjithashtu pret debutimin. Priten ndryshime edhe në sulm. Broja është i favorizuar ndaj Seferit, kurse Manaj pritet të lerë vendin Vrionit edhe ky një debutues me kombëtaren e parë./Balkanweb
/e.rr