Nga Lorenc Vangjeli
Jo shumë kohë më parë, shqetësimi thelbësor i antidrogës nuk ishte lulëzimi i industrisë së Cannabis-it, por pasoja direkte që vinte pas saj. Grupe kriminale që kishin mundësitë financiare për investimin fillestar, logjistikën e nevojshme, kontaktet e duhura kriminale dhe njohuri për tregje edhe për tonelata me bimën pesë fletëshe, e kishin shumë të lehtë ta bënin një gjë të tillë për kokainën për disa dhjetra kilogram.
Dhe kur hyn në lojë kokaina, ndryshojnë shumë gjëra. Shqiptarët mundën të shënojnë emrin e tyre në trafikun e saj duke u bërë pjesmarrës në hallkat kryesore të trafikut, që nga blerja më shumicë direkt në vendet e origjinës, në transportin e tij në Evropën Perëndimore, në shpërndarjen me pakicë në treg dhe në pastrimin e produktit kriminal, brenda dhe jashtë vendit.
Sasia e jashtëzakonshme e parave të gjeneruara nga ky biznes në mënyrë të pashmangshme ju ka dhënë aktorëve të tij një rol thelbësor në botën e nëntokës në Tiranë duke nisur që nga themele pallatesh gjigantë e deri në katet e larta të politikës. Lufta për kontrollin e tregut të kokainës mund të shpjegojë qartë se çfarë ka ndodhur në këtë vend në të paktën pesëmbëdhjetë vitet e fundit duke nisur me njerëzit që nuk arrijnë kurrë të plaken dhe duke mos përfunduar tek ata që nuk vdesin kurrë në mënyrë natyrale.
Personazhe të politikës dhe biznesit, të medias apo industrisë së argëtimit, përfitues apo përdorues të saj janë parathënia e zymtë e asaj që mund të ndodhë edhe më keq nesër nëse që sot nuk ka një front unik kundër kokainës. Ndryshe, Shqipëria e çunave të Compania Bella, do të jetë një shoqëri e keqe për të gjithë. Përfshi edhe vetë ata që kanë zbuluar floririn tek pluhuri i bardhë.