Tentuan të bënin goditjen e shekullit këtë verë, por transferimi i Lionel Mesit në “Etihad Stadium” dështoi. Por Mançester Siti nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga ëndrra për t’i dhuruar Pep Guardiolës lojtarin e tij të preferuar verën e ardhshme. Drejtuesit e klubit pranojnë se në merkaton e vitit 2021, ata do të tentojnë sërish transferimin e argjentinasit nga Barcelona.
Kapiteni i katalanasve, i cili kërkoi largimin nga “Camp Nou” që këtë verë, do të jetë një lojtar me parametër zero në fund të këtij sezoni, nëse nuk vendos që të rinovojë me Barçën. Një gjë e tillë për momentin duket larg realitetit, duke marrë parasysh edhe marrëdhënien e tij të acaruar me klubin dhe Mançester Siti mbetet destinacioni i tij i preferuar. Omar Berrada, kryeshefi operacional i “Qytetarëve”, gjatë një interviste për “Mançhester Evening News” konfirmoi gjithçka:
“Ai është një talent i shkëlqyer. Është dikush që mund të bëjë një diferencë të rëndësishme në çdo klub në botë si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Ai është futbollisti më i mirë në botë, më i miri i brezit të tij. Mendoj se çdo klub në botë do shqyrtonte mundësinë për ta transferuar. Fakti që u përfol se ai donte të vinte të luante te Siti tregon sesa hapa kemi bërë vitet e fundit, ku talentet më të mëdha të brezit të tij thonë se duan të luajnë për ne.
Është e vështirë të parashikojmë se çfarë do të ndodhë. Ne aktualisht kemi dy prej sulmuesve më të mirë në botë, Agueron dhe Zhezusin. Por për më të mirin në botë mund të bëhet një përjashtim që del nga investimet e planifikuara të skuadrës. Për çdo rol ne duhet të jemi të përgatitur. Mendoj se ne kemi forcën financiare edhe aftësinë e sistemit për të bërë një investim kur të jetë nevoja. Por është e pamundur të themi se çfarë do të ndodhë pas një viti”.
PANORAMASPORT.AL