Nuredin Dumani, 37 vjeç, është njëri nga autorët e dyshuar që mori pjesë në ekzekutimin e Bujar Çelës më 17 Shtator në një lokal në Bradashesh të Elbasanit.
Gjykata ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim Nuredin Dumanin për veprat penale vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Bujar Çela, vëllai i të shumëkërkuarit nga policia Talo Çela, u ekzekutua nga tre persona mëngjesin e 17 Shtatorit.
Policia thotë se Nuredin Dumani ishte në rolin e ekzekutorit direkt të Bujar Çelës, pasi është identifikuar nga kamerat e sigurisë së lokalit. 37-vjeçari Dumani është shok i Talo Çelës. Por çfarë thoshte Talo Çela për mikun e tij Nuredin Dumani, në një intervistë që ka dhënë për gazetarin Spartak Koka në muajin Korrik të këtij viti?
Pjesë nga intervista:
Spartak Koka: I shpallur në kërkim siç jeni ju aktualisht është dhe Nuredin Dumani. Çfarë lidhje keni ju me Nuredin Dumanin.
Talo Çela: Këtë e njoh unë. Unë Nuredin Dumanin e njoh si shtëpi, se këtij i thonë Luli për shkurt. Po ky nuk ka qenë në Shqipëri. Ka qenë në Francë, edhe u kthye kohët e fundit. Po unë shtëpinë e këtij e njoh komplet si shtëpi, edhe kalamajtë. Sepse kam shkuar me vëllain e tij, me Dashin.
Spartak Koka: Edhe ky nuk po i dorëzohet drejtësisë. Çfarë lidhje ka ky me këtë ngjarje?
Talo Çela: Nuk e di këtë unë, sepse këtu është një diçka tani. Këtë Klevis Allën nuk e kam takuar kurrë. Përsa i përket Nuredin Dumanit, u habita kur e pashë dhe këtë çne ky. Sepse vëllai i tij Dashi, ka vajtur tek puna e Mirit, ka marrë makinë me qira dhe kur ka hyrë te dera e Western Union, ka qenë nusja e këtij V. Aty ka qenë një çun i një polici, që e ka shtëpinë mbrapa shtëpisë së Mirit, dhe ai çuni policit di që qe në burg vrau një rob në aksident me makinë, edhe ai çuni e pa Dashin që hyri atje edhe mendoi i vajti atje tha ç’a do. Ai thotë dua Mirin. Prit këtu thotë, se e marr unë. E mori në telefon çuni i atij policit, vjen Miri edhe ky njihej me Mirin. Dashi, vëllai i Nuredinit, njihej me Mirin. Miri i dha makinë për 4 ditë, ka qenë dhe gruaja prezent.
Spartak Koka: Sa ditë përpara ngjarjes?
Talo Çela: Jo ditë, muaj përpara ngjarjes, ka qenë verë. Ja dha 4 ditë edhe në mënyrë shoqërore nuk i ka marrë edhe lekë më duket. Ngaqë e kishte shok. Prandaj po më vjen habi me këtë Nuredinin tani mua.
Spartak Koka: Jeni të sqaruar me familjen e vëllezërve Haxhia që s’keni lidhje me këtë ngjarje?
Talo Çela: Po isha në shtëpi me ato unë. Edhe këtu të më akuzojnë mua ata kur janë 8 rob në shtëpi? Si mund të më akuzosh mua kur janë 8 rob të familjes në shtëpi.
Spartak Koka: Po për këtë ngjarje, kur u arrestuan Klevis Alla dhe Altin Ndoci, policia tha se zbardhi dhe një ngjarje tjetër, atë të 2 Marsit të këtij viti kur u vranë 24-vjeçari Anxhelo Avdia dhe 35-vjeçari Dorian Shkoza. I njihni këta dy persona?
Talo Çela: Po, Dorian Shkozën e njoh unë. Sepse ky Dashi dhe ky Luli e kanë pasur komshi aty. Ka qenë bojaxhi makinash. Njoh dhe babën e atij unë. I njoh dhe vëllain e tij që punon po me makina.
Spartak Koka: Po përse mund të jenë vrarë ata. Kush i ka vrarë?
Talo Çela: Ky Dorian Shkoza në momentin që është vrarë, Viktori ka qenë te vëllai i këtij Dorian Shkozës. Ka qenë rastësisht, kanë qenë të dy. Mos, tha, i gjuajtën Dorit. Edhe ma tha ky. Domethënë edhe vëllai i Dorianit tani është në dijeni që Viktori ka qenë aty.
Spartak Koka: Po ju ku keni qenë kur është vrarë Dorian Shkoza?
Talo Çela: Në shtëpi isha. Me atë atin e këtyre, me Kolën, po luaja domino.
Spartak Koka: Pra juve ju kanë strehuar për disa kohë.
Talo Çela: Po. Unë kam qenë në shtëpi të këtyre.
/a.r