Policia ka nisur një aksion për të shkatërruar parcelat me kanabis sativa në zonën e Malësisë së Madhe. Parcela që duket në video duke u djegur ndodhet pranë vendit ku u gjetën të vrarë dy kushërinjtë Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe.
Vrasja e dy kushërinjve besohet se ka ndodhur pikërisht për shkak të pazareve të drogës. Ata dyshohet se janë vrarë nga kushëriri i tyre Danjel Pepaj, kur tre personat u raportuan të zhdukur më 3 Tetor. Sipas një versioni në media, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj akuzonin kushëririn e tyre Danjel Pepaj se u kishte vjedhur 50 kg kanabis nga një parcelë e tyre.
Pas presionit nga ana e tyre, thuhet se Danjel Pepaj shkoi me dy kushërinjtë e tij për t’u treguar ku kishte fshehur drogën e vjedhur në një zonë malore. Dyshohet se në këtë moment ka vrarë dy kushërinjtë dhe aktualisht nuk dihet vendndodhja e tij.
Trupat e dy kushërinjve të vdekur u gjetën sot pas 5 ditësh kërkime nga forcat policore dhe banorë të zonës. Pas kësaj vrasje, që deri më tani mendohet të ketë ndodhur për kanabisin, policia ka nisur edhe një aksion për të evidentuar dhe shkatërruar parcelat me bimë narkotike në Malësi të Madhe.
/a.r