Nga Arben Meçaj
Ora 23.30. 11 shtator 1998. Spitali Nënë Tereza (sot), në shkallët e Kirurgjisë për fëmijë, fati më dha mundësinë të takoj mikun tim Azemin. Unë operoja çunin (doktor Heta një mjek duarartë) dhe Azemi operonte çunin e motrës.
Kush i kujton vitet 1993-1996, i del parasysh lidhja ime 24/7 me Azemin. Konsultonim çdo shqetësim politik dhe familjar tonin. Konsultonim dhe programonim sëbashku çdo lëvizje të tij në këtë periudhë.
Kam dëgjuar shumë fjalë për Azemin por askush nuk dinte idetë e tij, të vërtetën e lëvizjeve të tij luftarake, përballjet dhe përpjekjet për mbijetesë në ambientin “djathtist” të PD. Askush nuk dinte marrëdhëniet dhe kompromiset e tij me kolegët, veten, Berishën. Un dija çdo detaj. Më besoni, nëse pak do të dinit, Azemin do ta vlerësonit shumë.
Ishte viti 1996, kur mua më “neutralizuan” nga PD, dhe rrugëtimi politik i Azemit vazhdoi ashtu si dihet, me zigzage, ulje ngritje, afrim dhe largim me PD (nënkupto Berishën).
Ndërkaq ‘97-‘98 karakterizohet nga dy momente që prodhojnë rrethana politiko-historike të cilat investojnë ngritje të aksioneve të Azemit në PD.
PD në opozitë, ishte eksituar nga filozofia konfliktuale e Berishës dhe lufta në Kosovë. Rrethanat e kohës implikojnë një situatë tepër të tensionuar në Shqipëri. Dhe në këtë situatë, shpërthen karakteri luftarak azemian. Angazhimet me struktura në Kosovë, angazhimet me resurset njerëzore për lëvizje protestuese radikale deri fizike në Shqipëri, e kthyen Azemin në figurën qëndrore të PD.
Azemi po kthehej më fort se kurrë në perceptimin militantist PD-ist të kohës. Kreditet e tij në PD, në strukturat militante të PD po rriteshin frikshëm. Frikshëm po rriteshin dhe kreditet njerëzore dhe financiare të Azemit. Azemi u bë i Frikshëm për “dikë” në PD.
11 shtator, tek shkallët e spitalit ballë për ballë me Azemin. Ai vetëm. Habitem. Si ka mundësi?! Perqafohemi.
– Azem, i them, a ke dijeni që brenda 16 shtatorit është planifikuar një vrasje “VIP” në PD, për të realizuar një skenar të revoltës së armatosur kundër qeverisë dhe që në objektiv je edhe ti?
Kishte mbi një muaj që informacione të klasifikuara flisnin mbi një organizim militar në Shkodër e Tiranë, formacion militar i gatshëm për aktivizim menjëherë pas një vrasje VIP në PD. Informacioni në fillesat e veta ishte i klasifikuar, por në shtator lajmi ishte bërë temë bisede në kafene. Kafenetë “projektuan” dhe viktimat VIP. Kuotoheshin Azemi e Pjetër Arbnori. Çuditërisht Pjetri u zhduk nga qarkullimi.
– Po, më thotë Azemi.
– Atëherë pse lëviz kështu, kaq i pa kujdesshëm? – i them.
Në vitin ‘94 Azemit, kur po kthehej nga një aktivitet politik në veri, me një kamion iu bë një atentat në Fushë-Krujë. Autovetura sportive blu Mitsubishi ku udhëtonte Azemi u shkatërrua komplet. Çuditërisht, Azemi dhe Noshja (shoferi) shpëtuan për mrekulli.
Në darkë shkuam dhe morëm veturën (grumbull llamarinash) dhe biseduam. Azemi më shprehu dyshimet (bindjen) nga e kishte “peshqeshin”.
Kjo situatë u përsërit dhe dy herë të tjera deri në ’96-ën. Azemi e dinte mirë kush e donte të vdekur. Por egoja apo “delli” i tij për të rimarrë kuotat e goditura apo rezistenca ndaj luftës në PD jo rrallë i cenonin stabilitetin arsyetues. Në fushëbetejë ekspozohej “luani” Azem.
Kur u njoftua vrasja, isha në makinë duke shkuar sërish për spital. Lajmi dëgjohej në çdo ambient. Filloi një shi i dendur në Tiranë. Më ra pika. Një ditë më parë e paralajmërova. Si kishte ndodhur…
Ato ditë ndoqa me interes ngjarjet, detajet, skanarët, manipulimet. Në gjithë këto vite mblodha informacione, deduktova, investigova dhe konkludova: 22 vjet kush nuk ka folur. Unë nuk kam dashur të implikohem. Por vjen një ditë dhe… Ngacmohesh nga intensiteti manipulues i ngjarjeve të 12 shtatorit 1998, ndaj vendosa të flas.
Paraprakisht, për të dhënë një opinion mbi vrasjen Hajdari, me duhet të sqaroj lexuesit e gazetës DITA që e ka ndjekur këtë dosje me detaje mbi opinionin tim për pyetjet:
• A kishte dijeni Azemi mbi rrezikun që i kanosej ?
• A ruhej Azemi dhe nga kush ?
• A ishte vetë-izolur Azemi në “kullë” apo lëvizte i lirë.
Prej 22 vitesh, nga korridore të dirigjuara mediatike, vrasja e Azemit TINËZ trajtohet vetëm në 2 minutëshin e derdhjes së plumbave vdekjeprurës mbi të. Ka pasur një strategji mjaft mirë të kalkuluar për të devijuar argumente dhe analiza të tjera mbi ngjarjen vetëm në këtë minutazh. A thua ngjarja ishte thjesht dyluftim “kaubojsash” pas një grindje tek banaku.
Po si mund të mos trajtohet me përgjegjshmëri motivi i pranisë disa orëshe të atentatorëve në oborrin periferik të PD? Si nuk u trajtua mungesa e angazhimit të disa strukturave paramilitare të PD, se paku për negocime me “të dyshuarit”? Përse duhej pritur që të mbërrinte Azemi (i thirrur me urgjencë nga aktivitetet në Lushnjë) për të “negocuar” me atentatorët.
Azemi kishte dijeni mbi rrezikun që e kërcënonte, veçanërisht për skenarin e shtatorit, dhe ruhej. Por, ai e dinte mirë nga kush duhej të ruhej. Armiku i tij në fillim shtatorin e ‘98 nuk ishte fisi Haklaj.
Ai nuk ishte asnjë dyshim dhe frikë nga Haklajt (ishte akoma në besë pas bisedës me bacën e Haklajve). Azemi i njihte mirë kodet e malësisë. E në këtë mirëbesim malësie ai drejtohet drejt Atentatorëve. Ai kishte dijeni të plote kush ishin dhe çfarë përfaqësonin “rrethuesit” e PD.
Gjithë njerëzit e PD ishin të informuar prej mbi katër orësh mbi pranine e komandos tropojane rrotull selisë së PD. Nuk është abuzive të theksohet, se kishte zëra dhe për objektin e komandos, dhe objekti nuk ishte Azemi.
Para 22 vitesh ne nuk kishim dijeni mbi atentatet e organizuara. Të parat i pamë në Tropojë me atentatet me mina ndaj anëtarëve të familjes Haklaj. Më vonë kemi pare dhjetra atentate, dhe bashkarisht jemi pak më “kompetentë”. Që të organizohet një atentat duhet minimalisht: Motivi, Vendndodhja, Kronologjia e pranise në një ambient. Dhe në këtë logjike, sot ngjarja Hajdari shtron disa pyetje.
Së pari, Azemi atë ditë ka qenë në aktivitete publike në Lushnjë. Pra ai e ka identifikuar qartësisht vendndodhjen. Komandot e kishin informacionin se Azemi nuk ndodhej në seli (mediat informonin mbi aktivitetin e tij në Lushnjë). Atëherë, kush mund të shpjegojë arsyen përse Aaentatorët, për të vrarë Azemin, kishin rrethuar gjithe ditën selinë e PD?!
Ndërkohë për çdo profan me njohuri minimaliste mbi pusitë apo pritat shtrohet pyetja: Përse duhej të rrethohej në mënyrë demonstrative selia e PD, kur fare lehtë, pusinë vrastare mund ta bënin në intenerarin rrugor Lushnjë -Tiranë. Në këtë intenerar, kushtet teknike të atentatit për një grup të strukturuar (flitet për 80 persona) do të ishin jo vetëm optimale, por mbi të gjitha që garantonin dhe fshehje identiteti.
Por në fakt atentatorët në 12 shtator janë ekspozuar shkujdesshëm dhe në mënyrë demonstrative në perimetrinë vizualisht të lexueshme të selisë së PD. Të ishin profanë apo fillestarë atentatorët. JOOO! Ata ishin absolutisht profesionistë, si për formimin ushtarak, ashtu dhe në kuadër të angazhimit militar në Tropojë dhe Kosovë.
Së dyti, itenerari i përditshëm kronologjik i Azemit ishte: shtëpi -selia PD. Selia PD – shtëpi.
Rruga drejt shtëpisë së Azemit kalonte në rrugën e Elbasanit dhe devijonte majtas në një rruge qorre, lokale, të pa asfaltuar dhe pa fare ndriçim. Terren optimal për çdo skeme atentati (veçanërisht në kthim në darkë në shtëpi).
Pra nëse atentatorët do të kishin objekt Azemin, kishin minimalisht dy alternativa teknikisht të “pastra” për atentat, dhe nuk kishin motiv teknik për të “rrethuar” selinë e PD.
Nuk ka dyshim se atentatorët në “rrethimin” e selisë së PD, kishin tjeter objekt. Një person i cili ishte “ngujuar” në “kullë”. Prej sa kohësh? Prej sa ditësh? Tek ky person duhet lidhur “kali” i hetimit mbi vrasjen e Azemit.
Azemi darkën e 12 shtatorit është nxjerrë në pritë. Skenari i nxjerrjes së Azemit në pusi është algoritëm jo vetëm i pa hetuar, por nëse analizohen zhvillimet mediatike, lehtësisht konstaton se janë bërë dhe po bëhen përpjekje për të dirigjuar opinionin drejt një piste të vdekur pa vlerë, pa motiv, me objektiv shmangien nga pista e vërtetë e ngjarjes.
Për 22 vjet është tentuar (dhe këto dite po ritentohet intesivisht) të limitohet ngjarja vetëm në 2 minuta përplasje, në ato skenarë 3D, se kush shkrepi armën i pari.
Nga kush? Azemin e nxorën njerëz brenda PD në pusi! Edhe pse objekti i atentatorëve ishte tjetërkush, fakti vërtetoi se, pa dijeni të Azemit, atentatoret ishin karikuar bindshëm se kishte motive të arsyeshme që targeti të ndryshonte shënjestër. Ata ishin “informuar” me të dhëna që justifikonin vrasjen e Azemit.
Para disa ditësh Azemi kishte menduar se kishte “korrektuar” marrëdhëniet me Haklajt pas takimit me babain e tyre në ambientet e PD. Ai kishte menduar se kishte marrë besën. Por ishte gabuar! Sa naiv Azem! Po, a nuk e dije se në selinë e PD “edhe muret kishin veshë”.
Dikush në këtë periudhë ju kishte dorëzuar të dhëna “shtesë” Haklajve për Azemin, duke thyer besën prej “pabesisë” së servisur. Nga kush? Izeti duhet të flasë.
Por, për të gjykuar vrasjen e Azemit, duhen analizuar patjetër rrethanat historike të kohës. Pa këto rrethana është e pamundur të analizosh skenarët, palet në konflikt, interesat, dhe për rrjedhojë dhe arsyet përse plumbat devijuan objekt, u derdhën mbi Azemin dhe jo mbi objektin e vërtetë të inkursionit vrasës të 12 shtatorit.
Në shtator, ambienti mediatik dhe politik shqiptar ishte ngarkuar me frymën e pritshmërisë të përplasjes së dhunshme qeveri – opozitë. Ambienti është një “fuçi baruti”, ku pritej vetëm kapsolla ndezëse (vrasja e një personi VIP).
Frymëzuesi dhe nxitësi i këtij skenari ishte padyshim Berisha.
Është e “habitshme” sot kur analistë apo gazetarë opinion-formues “harrojnë” në arsyetimet e tyre të theksojne se, në shtatorin e ’98-ës , në çdo tavolinë flitej kur do të ndodhte vrasja dhe kush do të ishte “personi VIP” që do të vritej.
Në Kosovë kishte filluar lëvizja çlirimtare UÇK me mbështetje nga NATO dhe USA, ku faktori Haklaj deçizonte shumë aksione mbështetëse të NATO-s në Kosovë, ndërsa prania e Qeverisë shqiptare (dhe pse jashtëzakonisht e dobët) ishte impresionuese.
Në këtë panoramë, destabilizimi politik i Shqipërisë ndeshte drejtpërdrejt me angazhimin USA dhe NATO për Kosovën. Çdo tentativë destabilizuese e politikës shqiptare, realisht nuk kishte objekt qeverine, por fatkeqësisht, vinte në rrezik suksesin e aksioneve intensive të aleatëve për Kosovën.
Pjesë e shqetësimit ishte dhe lëvizja PD (ku Azemi ishte tepër intensiv) për furnizim me armë të strukturave luftarake në Kosovë jashtë kordinimit dhe bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar të angazhuar ushtarakisht në Kosovë.
Ndërkaq Qeveria shqiptare, tmerrësisht e brishte, e sapo dalë nga ‘97, kishte interesa të drejtëpërdrejta politike për të neutralizuar aksionet e dhunshme të PD, aksione të cilat kishin një nxitës, frymëzues dhe protagonist, Berishën. Fryma e tensionit radikal kishte përfshirë mendjet diabolike të lidershipit politik majtas dhe djathtas.
Në Tropojë, zhvillimet ‘96-‘98 kishin prodhuar konflikte jetësore ndërmjet Haklajve, Berishës dhe Hajdarit, konflikt ku personi më i pambrojtur ishte Azemi. Ai e njihte realitetin dhe kishte filluar “komunikimet” me Haklajt.
Analiza e mësipërme konkludon se në ngjarjet intensive të shtatorit ‘98 tre aktorët Haklaj-Berisha-Hajdari janë jo vetëm aktivë, por dhe me implikim të drejtëpërdrejtë në ngjarjen e 12 shtatorit.
Manovrimet e tyre sa të sofistikuara aq dhe naive në një algoritëm të lexueshëm qëllimesh, interesash, manovrimesh dhe misionesh në ndeshjen e tyre patën një produkt: Devijim të objektit të atentatit, dhe… vrasjen e Azem Hajdarit.
Kush e donte të neutralizuar Berishën, çfare instrumentash do të duhej të shfrytëzonte për këtë neutralizim? Kush e donte të neutralizuar politikanin Azem? Si do të shmangte Berisha agresionin hakmarrës të Haklajve? Një pazëll sa i komplikuar aq dhe i thjeshtë nëse zbërthehet marrëdhënia Haklaj – Berisha – Hajdari.