Arrestohet në Greqi me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, një shqiptar i dënuar për vrasje, krim i ndodhur në vitin 1998.
Policia thotë se falë shkëmbimit të informacionit, u lokalizua dhe vu në pranga në Lamia, Greqi, një i kërkuar për vrasje në Shqipëri.
Interpol Tirana dhe Interpol Athinës, pas shkëmbimeve të vazhdueshme të informacioneve të grumbulluara për vendndodhjen e një të kërkuari për vrasje, i cili fshihej në territorin grek, ditën e djeshme policia greke, ka finalizuar kapjen dhe arrestimin e shtetasit shqiptar, me qëllim ekstradimin e tij drejt vendit tonë, të 50-vjeçarit Arben Muça, banues në Tiranë.
I arrestuari akuzohet se në vitin 1998, në Kombinat, Tiranë, në rrugën “Kelmendi”, në afërsi të një bilardoje ka vrarë me armë zjarri shtetasin M. T.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 23 vjet burg, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana po vijon procedurat e mëtejshme për ekstradimin e Muçës drejt vendit tonë.
g.kosovari