Sali Berisha dhe Ilir Meta po përpiqen me të gjitha mënyrat që 26 prilli i vitit të ardhshëm t’i gjejë njërin kryeministër ose minimumi zv.kryeministër dhe Ministër i Brendshëm dhe tjetrin President të Republikës.
Ish kreut demokrat dhe pse në moshë tepër të thyer, me sa duket nuk i ‘del shpirti’ pa e plotësuar dëshirën e tij për të “mbyllur” mandatin e dytë në krye të shtetit, i cili iu ndërpre pak muaj pasi e kishte marrë, për shkak të humbjes në zgjedhje në korrik të vitit 1997.
Mes rreshtave ka thënë se Kushtetuta e miratuar më 2008 s’ka efekt prapaveprues dhe se ai nuk përjashtohet nga një kandidim i dytë, përderisa i ka konsumuar zgjedhjet para miratimit të saj.
Por dhe Ilir Meta kërkon që bashkë me Berishën, dhe në aleancë të fortë me të, të bëhet dhe njëherë kryeministër. Madje pikërisht për këtë po lufton shumë fort, aq sa e ka braktisur dhe “mantelin” e Presidentit dhe është kthyer në kryeopozitarin e vetëm në vend.
Sot Berisha dhe Meta janë të lidhur si “mishi me thoin” e kanë plane ambicioze të parashikuara për t’i realizuar pas një viti, në aleancë të fortë të dy bashkë.
Por vite më parë, kur marrëdhëniet mes Berishës dhe Metës u prishën, kishin parashikime tepër të zymta për njëri tjetrin.
Madje Sali Berisha kishte një parashikim tepër të rëndë për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, teksa paralajmëronte se do ta mbyllin jetën e tyre pas hekurave të burgut.
Nuk ka qënë larg disa e këtij parashikimi, para pesë gjashtë vitesh e ka bërë një paralajmërim të tillë Sali Berisha për Ilir Metën. Kohë shumë e shkurtër për “pirueta” politike!
Teksa Meta është ndjerë keq përballë vendosmërisë së SHBA dhe BE për Reformën në Drejtësi dhe ngritjen e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit në atë kohë, përgjigjien për këtë siklet e ka dhënë vetë Sali Berisha.
Ish kryeministri demokrat në atë kohë ka parashikuar se Ilir Meta do ta mbyllë jetën në burg për një gamë të gjërë krimesh, sipas tij, të konsumuara sa herë ka qënë në pushtet.
“Për PD, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura.
Në historinë e vendit, ky mbetet njeriu që me bandat e tij, ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit, të trafiqeve të skllavërisë së seksit, të fëmijëve të drogës dhe armëve.
Mbi këta të dy (për Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij) rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas malit të Dajtit. Nuk do të jetë e largët dita kur Ilir Meta do ta mbyllë jetën e tij pas hekurave të burgjeve”, deklaronte Berisha para disa vitesh për mikun e tij aktual Ilir Metën.
Janë akuza të rënda, por që nuk janë artikuluar nga media por nga njeriu që e njeh shumë mirë Ilir Metën, vetë Sali Berisha, i cili nga viti 2009 e deri më 2013 ka bashkëqeverisur me të. Por dhe tani marrëdhëniet e tyre janë tepër të ngushta.
Pak më vonë, në vitin 2015, Berisha e akuzoi Metën se kishte porositur vrasjen e dy deputetëve. Berisha foli edhe për një dosje që ndërkombëtarët kishin përgatitur për Metën.
“Jep dorëheqjen, sepse je person i akuzuar për dy vrasje. Na i nxirr pak ato që të ka sjell Edi Rama nga institucionet ndërkombëtare. Sepse ata të njohin më mirë ty se çfarë përfaqëson ti për vendin”, tha Berisha. Në atë kohë Meta ishte Kryetar Kuvendi. Disa javë më pas, doli një raport sekret i OSBE për kriminalizimin e krerëve të politikës shqiptare.
Por akuzat e Berisha ndaj Metës kanë qënë me të vërtetë të forta dhe deri më tani presidenti aktual nuk është përgjigjur, për t’i hedhur poshtë.
Por, megjithatë ia ka “arritur” që teksa “merret” me punët e mbrojtjes së Kushtetutës, përplasjes me Edi Ramën, alpinizmin dhe plazhin, ta “sfumojë” parashikimin e Berishës.
Ajo që mund të themi është se Meta ia ka dalë të jetë jashtë burgut, madje as nuk është thirrur nga drejtësia pas akuzave të ish kryeministrit demokrat.
Ndërkohë që ka arritur maksimumin, është rikthyer te miqësia e vjetër me Berishën, dhe me sa duket kanë “mbivendosur” parashikimin e kahershëm për mbylljen e jetës në burg, me rikthimin në pushtet.
Gjithsesi deri më tani, përderisa asnjëri prej tyre nuk është tërhequr nga deklaratat, parashikimi i Berishës për Metën mbetet në “fuqi”.
Për më tepër që në realitetin e ri dhe përballë ambicieve të reja që kanë shfaqur, ia kanë borxh shqiptarëve t’i sqarojnë këto akuza. Makar dhe ti hedhin poshte dhe jo të bëjnë sikur nuk kanë ekzistuar kurrë.
Megjithatë Reforma në Drejtësi sapo ka njisur të implementohet, SPAK sapo ka filluar punë, “FBI”-ja shqiptare po krijohet. Ka kohë dhe për profecinë e Berishës!/Tema
/e.rr