Një parcelë prej 6700 rrënjë kanabis stativa është bërë shkak i pezullimit nga detyra i 12 oficerëve të policisë së qarkut Vlorë, ndërsa për 10 të tjerë janë marrë masa disiplinore. 22 efektivët e policisë janë penalizuar pas një analize të kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe mandej ka qenë vetë kryepolici Ardi Veliu, që ka marrë masa ndaj vartësve të tij.
Burime pranë prokurorisë së Vlorës, e cila prej muajsh ka nisur një procedim penal për oficerët e pezulluar, bënë me dije se një pjesë e oficerëve të pezulluar do të arrestohen, pasi rezultojnë të kenë bashkëpunuar me punëtorë dhe njerëzit koordinatorë që kujdeseshin për parcelën prej 6700 rrënjë kanabis. Parcela ishte në një teren të sheshtë dhe shumë e dukshme nga syri i njerëzve, pasi ndodhej buzë një rruge, pranë një stani.
Deri në këtë fazë ku janë hetimet mësohet se është proceduar për “Kultivim të lëndëve narkotike” vetëm pronari i tokës, i cili kishte ndërtuar shumë pranë parcelës me drogë dhe një stan delesh. Në ditët në vijim pritet që hetimet të vijojnë me arrestimin e personave të implikuar në këtë çështje, ku pa dyshim janë dhe disa prej policëve të Drejtorisë Qarkut Vlorë. Duke iu referuar burimeve ata kanë pasur dijeni të plotë për ekzistencën e parcelës dhe personat që kryenin kultivimin e saj, por në asnjë moment nuk kanë ndërhyrë dhe aq më tepër nuk kanë raportuar situatën tek eprorët e tyre. Parcela prej 6700 rrënjë kanabis, që u asgjësua katër ditë më parë në zonën e Vlorës, i përket një grupi shumë të fuqishëm në këtë qytet. Aktualisht hetimet vijojnë dhe ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që këtë dosje t’ia kalojnë për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme për shkak të implikimit të shumë funksionarëve shtetërorë në këtë çështje. Momentalisht parcela me 6700 rrënjë kanabis është asgjësuar totalisht nga policia dhe nën mbikqyrjen e prokurorëve të Vlorës.
Sasia e drogës mësohet të jetë djegur me benzinë. Ky është rasti i parë në Vlorë gjatë këtij viti që asgjësohet një parcelë kaq e madhe e mbjellë me drogë. Lidhur me këtë çështje janë pezulluar nga detyra inspektorë zonash dhe shefa në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Mes të pezulluarve nga detyra është drejtuesi i Komisariatit të Vlorës, Edmond Pjetri dhe ai i Himarës, Arjan Tase, shefi i krimeve në Himarë, shefi i stacionit policor në Selenicë. Kjo “furtunë” te blutë e qytetit bregdetar vjen pak ditë pas operacionit të bërë ku nga kontrollet e territorit nga toka dhe ajri, me dronë u evidentua parcelat me kanabis, më konkretisht në fshatrat Bolenë dhe Vërmik të Vlorës.
g.kosovari