Shkrimtari Agron Tufa, që njëkohësisht është edhe në krye të Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, thotë se në kohën e komunizmit kanë ndodhur përdhunime makabre.
Ai së fundmi ka botuar edhe një libër për këtë, me titullin “Gurit të varrit ia rrëfej”.
Duke folur në një intervistë për emisionin “Wake Up” në Top Channel, Tufa thotë se vetëm prostitutat nuk e pranojnë se ka pasur përdhunime.
“Nëse dikush preferon se përpara rrasës së varrit t’ua thotë të gjallëve ky është problem i njerëzve të gjallë. Por unë mendoj se debati që nisi nga rrëfimi i këngëtares Alida Hisku ka qenë vetëm një pjesë e vogël e të vërtetës.
Dhe për turpin e tyre prostitutat që i janë nënshtruar burgjeve refuzuan një ndër të vërtetat më rrëqethëse të asaj kohe. Debati përfshiu shumë zëra, kanë folur shumë por për ironi të fatit nga këta zëra dy meshkuj pretendojnë se nuk ka pasur përdhunime. Ata duhet të kenë qenë xhelozë që nuk qenë gjatë gjithë kohës femra dhe nuk vuri dorë kush mbi ta, por mbi Alida Hiskun, ose përndryshe nuk ka shpjegim ky mohim.
Duhet pasur kurajë të rrëfehet e vërteta. Ata që e mohojnë se ka ndodhur për fat të keq këta janë toni më i keq i mediave tona të cilat u ofrojmë mikrofonin xhelatëve për të thënë të vërtetën e viktimave. Kjo nuk është e drejtë”, thotë Tufa.
Duke folur për librin e tij, që është bazuar në dëshmitë e femrave të përdhunuara, Tufa shprehet:
“Është pikërisht ky realitet i bazuar dhe jo i fantazuar që bazohet në disa dhjetëra qindra biseda të regjistruara në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Rrëfimet e fermave që kanë kaluar këtë kalvar janë të papërballueshme psikikisht.
Ato të bëjnë të ngrish gur; si është e mundur të kenë ndodhur këto. Por nga njëri rrëfim në tjetrin sheh se kanë një universale të përbashkët të gjitha këto histori reale. Kupton se ka qenë si një procedurë, edhe kolegët e mi që merren me këtë sferë kanë zbuluar të njëjtën gjë. Këtyre femrave u është rezervuar një fat i trishtë një fat i zi me qëllim që ato të thyhen.
Nuk po flas vetëm për atë pjesë të tyre që quheshin si klasa të përmbysura, të deklasuarat që i takonte fati të lindnin të bukur etj, të cilat se s’bën do të implikoheshin ose do t’u krijonin një diagramë të posaçme për t’i nënshtruar por edhe për femra të tjera që shkëlqenin me një hijeshi dhe dhunti që u kishte dhënë natyra”.
Një pjesë e librit më poshtë, rrëfen se si ushtrohej presion ndaj femrave për të shkuar në shtrat me sigurimsat.
Në të thuhet se një këngëtare u përdhunua dy orë para se të dilte në skenë
PJESE NGA LIBRI “GURIT TE VARRIT IA RREFEJ”
Tipat si Hetem Gj. shfaqeshin jo rrallë, por kur kishte prova në prag festivalesh apo filma televizivë; por, meqë ishin të veshur civilë, krijonin efekt, ankth, hipnozë frike te këngëtaret e reja, të cilave u thuhej të tërhiqeshin në një kafe, sa për të sqaruar diçka… një dyshim të vogël. Kjo do të thoshte se, ndërkohë, këta skifterë me kobure e kishin studiuar mirë prenë, deri në fijen më të imët.
Në fakt, kafja ishte hapi i fundit dhe shtyrja në grackë, çka do thoshte në mos dënim, të paktën përjashtim përfundimtar nga skena. Kur ua bë- nin me dije situatën pa rrugëdalje vajzave të reja, të pamësuara, të papërvojë e të frikësuara për tmerr, ata i vazhdonin edhe për disa radhë takimet, jo për ta lehtësuar viktimën, por për t’ia bërë asaj sa më të qartë gjendjen pa rrugëdalje.
Në këtë mënyrë, me sa kam kuptuar nga rastet e disa shoqeve të mia, që kishin rënë tashmë viktima të epsheve të tyre, çdo takim i ri ishte shtrëngim laku në fytin e viktimës, derisa, rëndom, herën e tretë (ata para se të vinin në këtë takim, kishin bërë gati interierin e përshtatshëm të ndonjë apartamenti apo dhome hoteli), vajzës i bëhej me dije në formën e një sekreti tepër konfidencial, se fatin e saj e kishte në dorë ai dhe vetëm ai!
Kështu pra, nëse artistja e re (si gjithmonë, siç e kanë bindjen naive, më e talentuara, pa diskutim, e të gjitha kohërave!) e dëshiron menjë- mend shpëtimin prej atij ankthi pa mbarim të biografisë, dorëzohet më në fund dhe e ndjek pas të vetmin “shpëtimtar” të mundshëm, duke shpresuar se me atë dorë- zim do të pajiset me imunitetin e Sigurimit. Budallaçkat e mjera… Këta Hetemt e Sigurimit, pasi e fusnin në dorë artisten e re me biografi të keqe (dhe për dreq, shumica dërrmuese do ta kishte një kleçkë në biografi), kishin vetinë solidare t’ia pasonin shokut, ta bashkëpjesëtonin prenë.
Vajza e re artiste, që në fillim të karrierës së saj, pas shumë lëkundjesh e dilemash, vendoste të sakrifikohej në emër të artit, duke shpresuar se oficeri i Sigurimit thjesht do të shuante dy-tri herë kuriozitetin seksual me të dhe do ta linte të lirë, por akoma pa u çliruar nga kthetrat e njërit, e shihte veten në kthetrat e një tjetri të ngjashëm, mandej te tjetri, tjetri… e me radhë, duke kaluar dorë më dorë, derisa të mos e njihte veten më dhe t’i bëhej natyrë ai lloj poshtërimi.
– Kjo është një skemë që ka ngjarë konkretisht me njërën, apo…?
– Jo, e dashur, me disa… Me sa më kujtohet tani, rreth një vit para arrestimit tim, ky Hetem Gj. kishte shtënë në dorë, sipas kësaj skeme dinake, Suzin, një nga këngëtaret e reja debutuese në Festivalin e Pesëmbëdhjetë në RTSH, që pritej të bënte dhe surprizën e atij edicioni.
Këngëtarja e re, një studente fort simpatike, siç më përhitet në kujtesë, kishte rënë pre e këtij skifteri me kobure në fillim të nëntorit, kur këngën e kishte dorëzuar tashmë dhe pritej të përcaktohej debutimi i saj në listën e natës së parë apo të dytë. Si duket, pendesën duhet ta ketë patur të madhe: ajo nuk iu bind më kërcënimeve të Hetem Gj.
Kleçka e saj në biografi kishte të bënte me një xhaxha të arratisur, të cilin ajo as që e kishte njohur. Ajo nuk pranoi ta takonte skifterin që sillej rrotull gjatë gjithë ditëve të provave. Por për fat të keq, në finale, atëherë kur këngët konkurruese vlerësoheshin me pikë nga juria, përkundër debutimit mahnitës të natës së parë, Suzi dështoi në një mënyrë të turpshme e të pashpjegueshme. Zëri se si iu squll ashtu… stonime të tmerrshme në kthesa; mandej, kur tentoi të kapte notat e larta, iu shurdhua fare, iu shkreh si një çadër shkatarraqe në shi.
Qau gjithë pjesën tjetër të kohës së mbetur, derisa mbaroi nata e konkurrimeve: ajo mori, siç pritej, vlerësimin më të ulët. E ngushëllonim, por ishte e pangushëllueshme. Cili mendon ti, Lirika, kishte qenë shkaku i vërtetë i këtij dështimi? Shumë më vonë, kur na çuan në aksionin e Lukovës, ma rrëfeu një kolegia jonë, mikesha e saj më e ngushtë. Kishte ndodhë pak a shumë kështu: atë pasdite të vonë, para shfaqjeve, ajo kthehet të çlodhet në dhomën e saj, te hotel “Tirana”. Sapo hyn, dëgjon trokitje në derë.
E hap dhe përballet në prag me Hetem Gj. I thotë se ka ardhë për 2 minuta bisedë shumë të rëndësishme, shtetërore, e sigurisht, sekrete. Ajo pranon dhe dy minutat e Hetems bëhen atje brenda një orë e gjysmë. Pa ua varë shumë kërcënimeve të Suzit për denoncim, Hetem e përdhunon… dy orë para konkurrimit. Kur e sheh veten pa rrugëdalje, e gozhduar në shtrat dhe e pazonja të mbrojë lakuriqësinë e vet, Suzi provon të përdorë taktikën e fundit: i premton Hetems se do t’i jepet të nesërmen, duke iu lutur se seksi mu para natës finale të Festivalit do ta fundoste pariparueshëm…
Hetem nuk u ndal, pikërisht ngaqë e dinte këtë sekret profesional të këngëtareve, a ndoshta dhe për shkak të natyrës së tij perverse. I shkoi deri në fund. Pa dyshim, Hetem këtë duhet ta ketë bërë edhe me ndokënd tjetër para Suzit, përderisa e ka ditur sekretin e kësaj pike të dobët për zërin e këngëtareve. Kështu, me atë pallim fatal, katër orë para konkurrimit, iu shkreh zëri vajzës së ngratë si një balonë e shpuar…
TEMA