Ditën e sotme, 2 tetor, Gjykata penale e Tiranës do të zhvillojë të parën seancë gjyqësore për Izet Haxhinë, pas nisjes nga e para të çështjes për vrasjen e Azem Hajdarit.
Avokati i Hxhisë, Idajet Beqiri bëri me dije se përveç ish- kryeministrit Sali Berisha e dy motrave Haklaj, do të thirren edhe dëshmitarë të rinj që nuk janë pyetur kurrë më parë.
“Nesër do të paraqesim parashtrimet hyrëse, çfarë synojmë të arrijmë në këtë gjykim ne si palë mbrojtëse e Izet Haxhisë, do të parashtrojmë të vërtetën e ngjarjes së 12 shtatorit 1998, pozicionin e Izet Haxhisë me këtë ngjarje, ku ndodhej ai dhe përse, a ka ose jo lidhje Izet Haxhia me këtë krim dhe kush janë ata që e implikojnë padrejtësisht atë, për çfarë motive dhe interesa e bëjnë këtë gjë… Dhe për të provuar këtë pafajësi të Izet Haxhisë, do paraqesim një numur provash, duke filluar nga thirrja si dëshmitarë okular të Zenel Neza e Jaho Mulosmani, deri te Aishe Haklaj, Zylfije Haklaj, Sali Berisha, Sali Lusha, Afrim Krasniqi, Ylli Rakipi, Shaban Memia, Fisnik Sina, Ismet Haxhia, Isamedin Haxhia, etj. Do kërkojmë edhe një numër të konsiderueshëm tabulate telefonike të ditës së ngjarjes, të cilat zbulojnë motivin e vrasjes dhe bashkëpunëtorët real që kryen vrasjen e Azem Hajdarit. Kemi edhe një numër dëshmitarë të cilët do të përbëjnë risi për procesin, që nuk janë pyetur kurrë më parë, por që do të ndihmojnë realisht në zbardhjen e të vërtetës për vrasjen e Azem Hajdarit. Për arsye sigurie, për të mos u dhënë asnjë shans manipulatorëve të djeshëm dhe të sotëm të këtij procesi”, ka thënë avokati.
Vrasja e Azem Hajdari u rikthye në qendër të vëmendjes javën e fundit! Ish- kryeministri Sali Berisha mohoi të ketë pasur një fletëthirrje, por avokati e nxori “blof” duke publikuar dokumentet. Sipas tyre, Berisha është thirrur 2 herë, në datë 8 qershor 2001 dhe 30 korrik në të njëjtin vit. Madje, në emisionin “Repolitix”, ai tha se Berisha ka paditur prokuroren Elisabeta Imerajn pse e ka thirrur për të dëshmuar. Ish- kryeministri gishtin nga ish- kreu i SHISH, Fatos Klosi se e nxorri në pritë, por ky i fundit tha se vdekja e Azem Hajdarit i interesonte vetëm Sali Berishës.
Pse Izet Haxhia kërkon thirrjen si dëshmitar të Sali Berishës dhe 17 të tjerëve
Në dokumentin 7 faqësh, avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri ka dhënë argumentet se tij se përse duhet thirrur ish- kryeministri Sali Berisha si dëshmitarë në seancën ndaj Izet Haxhisë.
“Mbesa e Sali Berishës, Shpresa Breçani te lokali pranë PD-së, i Guxim Biberaj. Ajo i pa Jaho Mulosmani, Fatmir Haklaj dhe Nazmi Çangu afro një orë para ngjarjes. I njihte shumë mirë ata dhe ka shkuar në zyrën e Berishës dhe në prani të dëshmitarit Fisnik Sina dhe të ndjerës Linda Ihsani, e ka vënë në dijeni se kush ishin brenda në autoveturën me targa VL0676. Sali Berisha duhet të japë versionin e tij se përse në një situatë , kur u njoftua nga mbesa e tij në vend që të njoftonte organet e policisë së Shtetit, Ministrin e Brendshëm, Presidentin e Republikës, urdhëroi Azen Hajdarin që të shkonte te kjo autoveturë dhe të merrej vesh me ta”, thuhet në dokument, shkruan ‘shqiptarja’.
Në seancën e ditës së sotme për vrasjen e Azem Hajdarit, Izet Haxhia ka kërkuar 18 dëshmitarë.
Dëshmitarët e kërkuar janë:
– Zenel Neza
– Jaho Mulosmani
– Sali Berisha
– Mbesa e Sali Berishës, Shpresa Breçani
– Vëllai i Zenel Nezës, Haki Neza
– Afrim Krasniqi
– Ylli Rakipi
– Shaban Memia
– Dem Dollapi
– Sali Lusha
– Genc Hoti
– Agim Logu
– Mentor Daja
– Ismet Jovani
– Aishe Haklaj
– Zylfie Haklaj
– Marjam Gryka