Gjyqtarja Mimoza Margjeka ka mbërritur sot në gjykatë për të qënë e pranishme gjatë seancës së saj për rivlerësimin e masës së sigurisë, e cila po mbahet në GJKKO.
Margjeka kërkon që mediat të jenë të pranishme në sallën gjyqësore në mënyrë që seanca të jetë publike. Më tej shprehet për gazetarët se ajo është e vetmja gjyqtare që nuk i ka dhënë mandatin një kryebashkiakeje.
”Do kërkoj shfuqizimin e masës, dosja është përrallë, është thashethem, nuk di se çfarë të them. Unë do kërkoj foninë jashtë, gazetarët duhet të futen, meqë tre ditë u trumbetua që gjyqtarja ka marrë 6 mijë euro, unë dua që gazetarët të jenë në sallë. Kam 30 vite në gjyqësor, kam 4 diploma. Ju e dini shumë mirë që unë jam gjyqtarja e vetme që kam bërë nul procesin e 30 Qershorit. Gojën nuk ma ndalon asnjë njeri, dosjen nuk e nxjerr dot, nxirreni me autopolant si në kohën e Enverit, ne nuk jemi njerëz nga rruga”- tha Mimoza Margjeka e revoltuar.
Nëpërmjet bashkëshortit të saj Arben Cara, gjyqtarja Mimoza Margjeka ka marrë shumën prej 6 mijë eurosh për të nxjerrë nga burgu një person, i cili akuzohet për trafik klandestinesh.
Nga hetimi i SPAK rezulton se shtetasit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj (me profesion avokat), në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal, duke i dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, nëpërmjet bashkëshortit të saj, shtetasit Arben Cara, një shumë prej 6.000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.
g.kosovari