Për ndërtimin e rrjetit 5G ka shqetësime në lidhje me kompaninë kineze Huawei. Prandaj, sipas ARD, qeveria gjermane dëshiron ta verifikojë dyfish pjesëmarrjen e saj: teknikisht dhe politikisht.
Për koncernet kineze si Huawei, në të ardhmen do të ketë pengesa të mëdha për t’u përfshirë në ndërtimin e rrjetit celular të shpejtë të brezit të pestë. Qeveria gjermane nuk dëshiron t’i ndalojë në parim përbërësit kinezë – por një marrëveshje në nivelin ministror parashikon, sipas një informacioni të ARD-së, që do të ketë dy procedura të ndryshme verifikimi në të ardhmen. Hapi i dytë i verifikimit në veçanti do t’u shkaktojë vështirësi të mëdha furnizuesve kinezë në të ardhmen.
Tri ministri të përfshira
Që tani ishte vendosur që Zyra Federale për Sigurinë e Teknologjisë Informative (BSI) duhet të bëjë një kontroll teknik. BSI duhet të sqarojë nëse përbërësit që lidhen me sigurinë për rrjetin 5G janë teknikisht të rregullt. Ekspertët e TI-së duhet të zbulojnë nëse elementët mund të jenë të përshtatshëm për spiunazh dhe sabotim.
Thelbi i çështjes tani është që, në të ardhmen, përbërësit kryesorë do t’i nënshtrohen edhe një vlerësimi politik shtesë nga ministritë përgjegjëse. Kjo situatë e përgjithshme politike duhet të merret parasysh nga Zyra Federale e Jashtme, Ministria Federale e Ekonomisë dhe Ministria Federale e Brendshme.
I përfshirë edhe Shërbimi Informativ Gjerman
Për këtë hap të dytë, vlerësimin në nivelin politik duhet të përdoren gjithashtu edhe informacione të shërbimeve të fshehta. E thënë thjesht: ministritë në të ardhmen do të pyesin Shërbimin Informativ Gjerman (BND) se sa i madh është rreziku që shtete si Kina të spiunojnë Gjermaninë përmes rrjetit celular me shpejtësi të lartë.
Shërbimi Informativ Gjerman, BND kishte shprehur shqetësime në të kaluarën. Arsyeja: kompanitë kineze janë nën ndikimin e udhëheqjes shtetërore dhe komuniste.
Kontrollohen përbërësit
Procedura e ardhshme është si më poshtë: ofruesit e internetit si Telekom kërkojnë ofrues si Huawei. Pastaj ofruesit paraqesin një koncept tek qeveria federale: se në ç’vende të rrjetit do të ketë komponentë të caktuar dhe nga cilët furnizues do të jenë ata. Kjo gjithashtu duhet të përfshijë një garanci nga furnizuesi që produktet plotësojnë kërkesat gjermane të sigurisë.
E rëndësishme: të gjithë ministrat duhet të bien dakord me konceptin e ofruesit. Nëse, për shembull, ministri i Jashtëm nuk bie dakord, ai mund të vërë veton, sipas grupit parlamentar të SPD. Është planifikuar një model, në të cilin mund të ndërhyjë edhe kancelaria federale.
Plani i qeverisë federale tani parashikon që Gjermania nuk duhet të shfrytëzojë vetëm ekspertizën e BSI për verifikimin teknik. Mund të përfshihen edhe laboratorë të tjerë testues të aprovuar në Evropë, për shembull në Francë, Spanjë ose Holandë. DW
/e.rr