Në një takim me gratë socialiste në Amfiteatrin e Tiranës, Kryetari i Bashkisë dhe njëherësh drejtues politik për Tiranën, Erion Veliaj deklaroi se PS ka vetëm një plan, të bëjë Shqipërinë dhe Tiranën më të mirë. Ai theksoi se halli i vetëm i opozitës është të ringjallë Sali Berishën për të tretën herë.
“Na kanë ngelur edhe 207 ditë, para se ne të shkojmë në një betejë ku të themi “#edhe 1, edhe 1” për Partinë Socialiste. Kanë ngelur edhe 207 ditë para se ne të fokusohemi dhe të themi çfarë planesh kemi. Ne kemi vetëm një plan: Të bëjmë Shqipërinë dhe të bëjmë Tiranën. Pala tjetër ka një plan tjetër, kanë shtëpinë e tretë, kanë pasaporta holandeze, kanë edhe një plan B. Unë besoj që për secilin prej nesh që ka vetëm një plan, duhet të mendojmë fort për situatat që kaluam. Nëse dikush ka iluzion se ata kanë hallin e familjeve tona, duhet t’i mendojë këto fakte. Mund të kemi opinione të ndryshme, por jo fakte të ndryshme. Nëse ju mendoni se Sali Berisha që kërkon ringjalljen e tij të tretë, ka hallin e familjeve tuaja, e keni gabim, ndaj duhet të flasim me çdo zonjë dhe zonjushë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë komentoi edhe planin ekonomik të prezantuar nga opozita, ku theksoi se fokusi i tyre është t’u vendosin gjoba kompanive dhe të shtojnë vilat e tyre. “Po shihja axhendën, se sa shtëpi do duhet të hapim nesër për familjet që u prekën nga tërmeti, kurse ata janë të shqetësuar se si në kohën e tërmetit kanë shtuar shtëpitë e tyre. Teksa gjithë ekonomia ka rënë jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, ekonomia e tyre është rritur. Shihni llogarinë e kunatit, shihni sa gjoba u vihen kompanive. Sot dolën me plan ekonomik, seriozisht? I vetmi plan ekonomik që kam dëgjuar këto tetë vite është, gjej një kompani, vëri gjobë nëpërmjet zëdhënies, paguaj gjobën që unë të të heq sulmin ndaj partisë. Pyetja është: Do mendojmë për ekonominë, shtëpitë, planet B, për rritjen e financave të dy familjeve të vetme, që edhe në opozitë vetëm u ka shkuar puna vaj, apo duhet të përveshim mëngët për të gjitha familjet e Shqipërisë”, nënvizoi Veliaj.
Duke e cilësuar PS si forca më pozitive, më progresiste dhe më patriote e Shqipërisë, Veliaj tha se qytetarët shqiptarë kanë një shans historik që jo vetëm PS të fitojë këto zgjedhje, por të fitojë e ardhmja e vendit. “I vetmi shans i tyre që të fitojnë është përçarja. I vetmi shans që ne të fitojmë është bashkimi. I vetmi shans që ata të fitojnë është helmi. I vetmi shans që ne të fitojmë është mjalti, është goja e ëmbël. I vetmi shans që ata të fitojnë është dhuna. I vetmi shans që ne të fitojmë është paqja, vëllazëria me njeri-tjetrin. Ndaj, motrat e mia, ne kemi 207 ditë për gojën e ëmbël, për fjalën e mirë, për politikën e bashkimit, për njerëzit që i bëjnë të tjerët të rrinë më afër me njeri-tjetrin, jo t’i largojnë. Për një kulturë e cila çon në fqinjësi të mirë, në solidaritet, në vëllazëri. Kemi një shans historik që jo vetëm ne të fitojmë këto zgjedhje, por të fitojmë të ardhmen. Nuk është punë për zgjedhjet e ardhshme, është punë për gjeneratën e ardhshme. Ndaj, në këto 207 ditë, unë dua që secila prej jush të bëjë 207 kontakte, të bëjë 207 biseda, të pijë 207 kafe nga një kafe në ditë me një gocë, me një vajzë, me një zonjë dhe me një zonjushë që duhet të bashkohet, duhet të jetë ajo “#Edhe 1”. Mezi pres që këto 207 ditë, goja e ëmbël, mendja e shëndoshë dhe zemra e hapur të jetë karta jonë e fitores”, deklaroi Veliaj.