Policia e Shtetit thotë se edhe Shqipëria ishte pjesë e operacionit ndërkombëtar të koduar “SEE JAD”. Në këtë operacion, me fokus parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e imigracionit të paligjshëm dhe trafikimin e armëve të zjarrit dhe drogës, morën pjesë 34 shtete, agjencitë e BE-së si Europol, Eurojust, Frontex dhe partnerët ndërkombëtarë dhe institucionalë si INTERPOL, UNODC, PCC-SEE, CCWP, IPA/2019 kundër luftës ndaj krimit të rëndë dhe të organizuar në Ballkanin Perëndimor, SEESAC.
Në këtë operacion u përfshinë 8838 oficerë të Policisë, të rojës bregdetare, kufitare tokësore, detare dhe ajrore dhe agjentë doganorë.
Gjatë këtij plani operacional në Shqipëri, në PKK dhe vende të tjera të cilësuara me risk për kryerjen e veprave penale të mësipërme janë kontrolluar 2422 persona, 2032 automjete, 126 ambiente të ndryshme dhe 90 pako postare.
Gjatë zhvillimit të operacionit të përqendruar në kontrollet kufitare ne vendin tonë u arrestuan 7 shtetas shqiptar dhe të huaj, ndërsa 8 shtetas shqiptar dhe të huaj u proceduan në gjendje të lirë.
U sekuestruan 6 armë zjarri, nga të cilat 2 armë gjahu, 1 automatik, 3 pistoleta dhe 117 municione të ndryshme të armëve të zjarrit.
U kapën 2 persona në kërkim, një shtetas shqiptar i dënuar me 10 vjet burgim për trafikim të narkotikëve, një në kërkim ndërkombëtar, i shpallur në kërkim nga Kroacia, i dënuar 7 vjet e 7 muaj burgim për pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, u sekuestruan një sasi në paund, lëndë narkotike kanabis dhe një sasi e vogël kokaine.
Po gjatë operacionit në pikat e kalimit iu është refuzuar hyrja në territorin e vendit tonë, 14 shtetasve të huaj, pasi nuk plotësonin kushtet.
Nga patrullat kufitare në Kapshticë dhe Kakavijë, në bashkëpunim edhe me FRONTEX-in, janë kapur 411 emigrantë të parregullt të kombësive të ndryshme, si dhe janë bllokuar në kufi 2 pasaporta të vjedhura.