Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu përgjigj sot kryeministrit Edi Rama, i cili dje, pas prezantimit të planit të demokratëve për rimëkëmbjen e ekonomisë, tha se Basha është “shalqi me provë”.
Në një vizitë që zhvilloi sot në një fasoneri në Vorë, Basha tha se kryeministri nuk merr masa, por është kthyer në një sharlatan që del në televizor.
Basha përsëriti thirrjen që kryeministri dhe qeveria të marrin përsipër të realizojnë planin e propozuar nga PD për rimëkëmbjen ekonomike, që sipas kryedemokratit nuk është programi elektoral për fushatën, por një plan ndihme për këto 6 muaj.
“Plani që kemi prezantuar këtë javë nuk është plani ynë elektoral por është plani për 6 muajt e fundit të kësaj qeverie. Sepse për fat të keq, këto 6 muaj ende drejton një kryeministër palaço që vetëm shan po nuk e fsheh dot të vërtetën. Në vend që të ndihmojë njerëzit, vazhdon të bëjë palaçon. Sa do të shajë, të vërtetën nuk e fsheh dot! Taksat të shkojnë për të ndihmuar biznesin dhe shqiptarët. Sot dhe ditë për ditë nuk do lodhem së përsërituri që nuk ka kohë për sharlatanizma por për të marrë përgjegjësi sepse vendi është në krize dhe tryezat e shqiptarëve janë bosh”,-tha Basha.
g.kosovari