Sot është dita e fundit e aplikimeve për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Mësohet se deri më tani kanë aplikuar 310 persona, ndërsa ditën e nesërme komisioni i përbërë nga SPAK e BKH do të kalojë në filtër aplikimet. Ata që plotësojnë kushtet do të vazhdojnë garën.
Gara për një vend në Byronë Kombëtare është hapur më 8 shtator, ku kërkohen që të “rekrutohen” 60 hetues specialë, për të qënë pjesë e strukturës së re hetimore.
Për këto pozicone punë në BKH ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë, e cila ka bërë apel që çdokush që përmbush kriteret për hetuesit specialë të BKH të aplikojë. Amabsada theksoi është një mundësi e mirë për t’u bërë pjesë e një strukture të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm.
Si bëhet aplikimi?
Formulari prej 7 faqesh që duhet të aplikojnë kandidatët që duan të bëhen pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit ndodhet në faqen zyrtare të BKH-së. Kandidatët duhet të plotësojnë gjeneralitetet që kërkohen si emri, mbiemri, adresa e banimit, numri i telefonit, vendi i lindjes apo numri i pasaportës, data e lindjes së babait dhe nënës, çdo e dhënë për kolegjin, gjimnazin apo universitetin. Gjithashtu në formular ka edhe pyetje interesante si pesha, ngjyra e flokëve apo ngjyra e syve.
Për çdo punë të mëparshme që ata mund të kenë bërë apo kanë aplikuar, duhen të dhëna apo kontakte për ndonjë koleg apo drejtues për të bërë të mundur marrjen e informacioneve për ta. Gjithashtu vërtetimet se ku ka punuar apo nëse është shkarkuar nga puna dhe arsyet e shkarkimit.
Aplikantët duhet të japin informacion nëse kanë ndonjë shqetësim shëndetësor, ndonjë sëmundje nga e cila vuajnë, nëse marrin mjekime rregullisht Në formular duhet të plotësohet nëse ndonjë i afërm i tyre është emëruar në BKH. Nëse ata janë në gjykim apo hetim, anëtar të ndonjë partie politike, apo simpatizantë.
Pas plotësimit të të gjitha të dhënave, duhet të kalohet edhe testi i ushtrimeve fizike si edhe të verifikohet pastërtia e figurës. Pas gjithë këtij procesi 60 kandidatët do të marrin distinktivin, do të testohen në makinën e së vërtetës, pasi ta kalojnë edhe këtë procedurë ata do të trajnohen me agjentët e FBI- së në SHBA.
g.kosovari