Njerëzit në Petritoli të Italisë u tronditën të dielën kur mësuan se një 10-vjeçar kishte humbur jetë në një aksident tragjik.
Më vonë, u bë e ditur se në aksident ishte përfshirë edhe një 40-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Bëhej fjalë për babë e bir shqiptarë, që jetonin prej vitesh në Itali. Mediat kanë bërë publike identitetin e viktimës. Ai është Kristian Kazazi. Mediat italiane kanë shkruar se familja e vogëlushit shqiptar gëzonte respekt të madh në zonë.
“Një tragjedi e tmerrshme. Nuk ka fjalë për të komentuar vdekjen e një fëmije që i gjithë komuniteti e njeh dhe e do.
Një fëmijë që ka qenë gjithmonë i qeshur, i gëzuar dhe i shoqërueshëm, e që në thelb pasqyron familjen Kazazi.
Një familje e mrekullueshme ndaj së cilës komuniteti tashmë i është më pranë se kurrë pas kësaj tragjedie”, është shprehur Luca Pezzani, kryetari i Bashkisë Petritoli.
Babai i Kristianit quhej Toni, e ëma Brunilda si dhe kishte edhe një motër me emrin Klarisa. Mësohet se Kristiani ndodhej në një makinë me babain pasi po shkonin për në restorantin ku punonte nëna e tij.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës të së dielës në një rrugë ku mjeti tip “Fiat Panda” humbi kontrollin. Ata u përplasën me një mur.
Për shkak të impaktit të fortë fëmija ka dalë nga makina, duke pësuar plagë të rënda, aq sa i morën jetën menjëherë.
Ndërkohë babai ngeci brenda makinës dhe u desh ndërhyrja e autoriteteve për të bërë të mundur nxjerrjen e tij.
Më pas, ai u transportua në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
/e.rr