Nga Ilir Yzeiri
Është e tepërt të numërosh qysh në fillim të një shkrimi gjithë defektet që ka demokracia shqiptare, sepse kritika e një procesi, në një vend si ky i yni, ku të gjithë kritikojnë dhe shumë pak njerëz mendojnë, rrezikon të kthehet në sport nacional siç edhe është kthyer dhe, në fund, askush nuk e merr vesh se çfarë të reje kanë këto zgjedhje dhe përse duhet dhe do të duhet që shqiptarët të votojnë.
Qysh në fillim më duhet të them se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, qysh në ditën e parë të lindjes së pluralizmit, nuk u ngjizën rreth një ose disa aletrnativave. Në fillim të tyre, ato prodhuan një apo dy slogane të ëndërruara prej kohësh, si : «Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa !» apo «Poshtë diktatura !» dhe u përqëndruan rreth rrëzimit dhe marrjes së atij pushteti.
Fatkeqësia e demokracisë shqiptare u shenjua që në lindje të saj. Madje do të ishte mirë të thoshim se, pas rënies së komunizmit, Shqipëria nuk u fut në rrugën e demokracisë, por në rrugën e kapitalizmit të egër e të shthurur dhe me devizën që më të fortët do të sundojnë, që, në emër të parave dhe të pasurimit me çdo kusht, do të bëheshin të gjitha eksperimentet. Droga, prostitucioni, vjedhja e shtetit dhe abuzimi me të, në fillim të tranzicionit u ndien nga shqiptarët si kuptimi i jetës dhe «heronjtë» e këtyre punëve nisën të shiheshin me adhurimin që kishin dikur shqiptarët për kaçakët, për komitët apo për banditët e tjerë që sfidonin shtetin dhe ligjin. Por, nëse në kohën e pushtimit turk, shteti dhe ligji ishin të huaj dhe larg, pas rënies së diktaturës, edhe si një hakmarrje për shtetin dhe ligjin që e kishin çuar në absurd dhunën ndaj qytetarëve, shqiptarët nisën të instalojnë kulturën sipas së cilës «shteti është i më të fortit» dhe politika na duhet që të mbajmë pushtetin e ta ndajmë atë mes nesh.
Krahas kësaj, në vend u përftuan dhe dy shtresa të mëdha që kishin qenë viktima të sistemit të kaluar dhe po bëheshin njëlloj viktima edhe të sistemit të ri politik që po instalohej në vend dhe që kishte pamjen e xhunglës. Këto shtresa ishin ish-të burgosurit politikë që dolën nga burgjet dhe klasa e ulët shoqërore në vend, punëtorët, fshatarët, njerëzit që në socializëm kishin vuajtur dhe kishin çuar një jetë në kufijtë e mbijetesës.
Pas rënies së diktaturës, një dukuri tjetër, më e rënda nga të gjitha. ndoshta, preku institucionet e dijes, të kulturës dhe shkencës. Universitetet u braktisësn, insitucionet shkencore të dijes humane u vështruan si reparte propagandistike që kishin ndihmuar në zgjatjen e jetës së diktaturës. Nisën të instaloheshin me shpejtësi institucionet e kultit. Xhamitë, kishat dhe vendet e tjera të besimit u mbushën si rrallëherë me besimtarë. Shqiptarët dukej se po merrnin hak për vitet e humbura e të kaluara në ateizëm total. Mirëpo, gjithë ky zell në vend që ta shëndoshte jetën shpirtërore e bëri atë më të vrazhdë. Rezultati i saj nuk ishte ndikimi i këtyre institucioneve në jetën e shqiptarëve për t’i bërë ata më të mirë e më të përgjegjshëm, përkundrazi, sidomos përhapja e pakontrolluar e xhamive dhe kishave ortodokse nxitën radikalizmin dhe një pjesë e madhe të rinjsh hoqën dorë nga dija e kultura dhe iu përkushtuan ilsamit radikal e naiv, duke hequr dorë nga shkolla e kultura. Në shumë raste, Shqipëria, në këtë lëmë, ishte kthyer si në vitin 1920.
Përjashtimi i elitës që ishte përgatitur në shkollat e socializmit, shkatërrimi i institucioneve të dijes e shkencës sollën një shkretëtirë të frikshme në hapësirën publike dhe Shqipëria ngjnate me një si një vend bosh. Universitetet jo vetëm që u deformuan, por shkelmin përfunimtar ua dha ideja makabre për të ndërtuar universitetet private si ofiçina që japin dhe fabrikojë diploma duke ua zënë frymën edhe atyre pak institucioneve private që ishin çelur me dinjitet.
Shkatërrimi i ushtrisë i pronave të ndërtuara në socializëm dhe rrafshimi i gjithçkaje të trashëguar nga socializmi meritojnë një analizë më vete. Dhe në gjithë këtë shkretëtirë idesh, lulëzonte vetëm një pasion : fitimi me çdo kusht dhe pasurimi. Kjo ambicie, në fakt, krahas asaj që përmenda më sipër, pra krijimit të kultit të banditit që sfidon shtetin e ligjin brenda e jashtë vendit, nxiti dhe sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve të thjeshtë që morën nga sytë këmbët dhe përmes punës në emigracion, por edhe sakrificave këtu ndërtuan për veten e tyre një mirëqënie të pamenduar më parë dhe e zbukuruan edhe këtë vend.
Ndërkaq, Shqipëria u përball me tragjedinë e vitit 1997, njohu skandale të tjera si Gërdeci apo vrasjet në Bulevard dhe paradoksi ishte që Partia Demokratike ajo që lindi si frymëzim antikomunist, në gjithë këta vjet të tranzicionit të egër shqiptar, jo vetëm që nuk frymëzoi një ideal të ri, por nguliti thellë në kulturën politike shqiptare idenë se politika duhet të jetë një luftë pa ide, një transaksion që të jep mundësi të pasurohesh e të forcosh klanin familjar dhe atë pasunor. Simboli i kësaj force politike sot është Lefter Maliqi. Shikojini postimet e tij, vërejeni ligjërimin e tij dhe do të shihni se idealet e Pjetër Arbnorit, të Azem Hajdarit apo të studentëve të dhjetorit tani i mishëron narrativa e Lefter Maliqit.
Atëhere, përse duhet dhe do të votojnë shqiptarët?