Presidenti Ilir Meta ka hedhur akuza ndaj qeverisë se ka braktisur investimet në blegtori e bujqësi duke shënuar ulje të ndjeshme të prodhimeve të tyre. Kreu i shteti ka publikuar të dhënat e INSTAT duke shtuar se treguesit tregojnë rënie të sektorit të blegtorisë që prej 2017.
Meta, ashtu si opozita, ka akuzuar qeverinë se jep miliona euro për koncesionet dhe tenderët sekrete, ndërsa ka lënë në mëshirë të fatit investimet në bujqësi e blegtori duke çuar në shpopullimin e zonave rurale.
“Blegtoria, një nga sektorët më të rëndësishëm të bujqësisë shqiptare, për fat të keq, ashtu siç tregojnë dhe indikatorët e INSTAT, pas vitit 2017, po shkon drejt një rënie të lirë. Braktisja e bujqësisë dhe blegtorisë po shpopullon zonat rurale dhe më të bukura të vendit, ndërkohë që miliarda euro jepen për koncesione të dyshimta dhe tendera “sekrete”. Shqipëria është e fundit në rajon sa i takon mbështetjes së bujqësisë. Kjo qasje duhet të ndryshojë një herë e përgjithmonë”, shkruan Meta.
Gjuha e ashpër dhe akuzat e kreut të shtetit, na shfaq një president që ka kaluar tashmë në opozitë dhe po i bënë rezistencë të fortë qeverisë, dhe jo një president me qëndrim asnjanës që duhet të ruajë ekuilibrat dhe balancat politike.