Nga Sokol Balla
Shqipërisë i duhen vaksinat. I duhen sigurisht për pandeminë dhe qeveria thotë se do të na i sigurojë ato ndoshta brenda muajit dhjetor. Por Shqipërisë i duhen edhe vaksina të tjera. Para pandemisë, vaksina më e përfolur ishte reforma në drejtësi. Sot kjo reformë ka dhënë një rezultat fiktiv, por të rëndësishëm, që ka lidhje me një ngjarje aq të rëndësishme të 22 viteve më parë, saqë, nëse ajo zgjidhet, do të fillojë të ndajë përfundimisht politikën nga krimi. Pasi do të sqarojë nëse vrasja e Azem Hajdarit ishte thjesht një ngjarje kriminale, apo nëse ishte një atentat politik, i inskenuar me dinakëri dhe i përdorur më pas politikisht, për të thyer me arkëmortin e tij, dyert e pushtetit.
Prokuroria ka vendosur të thërrasë Sali Berishën dhe ta pyesë atë lidhur me ngjarjet e vrasjes së Azemit, në 12 shtator 1998. Do ta pyesë, pasi ditët e fundit, janë publikuar pamjet, kur ish kryeministri interviston Zenel Nezën, i vetmi i mbetur gjallë nga ai atentat, ndërsa rikuperonte në spital nga plagët e marra. Berisha shihet duke e intervistuar Nezën, i cili më pas ndihmohet të arratiset jashtë Shqipërisë e që atëherë, nuk është parë më. Por lajmi është se Sali Berisha është thirrur të dëshmojë, njëlloj si Jaho Mulosmani. I dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e Azemit, tani njëlloj, i barabartë në dëshminë e tij, si Sali Berisha. Jaho nga burgu, Saliu nga rrugica e “tij”, në Bllokun e ri të Tiranës prapa Piramidës. 20 vjet më parë Doktori i famshëm sfidonte Prokurorinë dhe tallej me hetuesit, të cilët nuk guxonin ti shkonin as në selinë e PD, por pinin kafe te parkingu i selisë Blu. Po sot, a do ta bëjë ai këtë gjë dot? 20 vjet më parë ai shkoi dhe dorëzoi dëshminë e tij në Ambasadën Amerikane, ndërsa sot, ndoshta rastësisht, ambasadorja amerikane paralajmëroi dhe njëherë armiqtë e reformës se drejtësia e re nuk kishte më frikë prej tyre. Mesa duket vaksina e reformës po fillon e jep frytet e veta.
Njëlloj si vaksina e COVID, e cila duket për fat të keq, shpresa e vetme qqë të shpëtojmë shëndetin dhe ekonominë nga Lufta e Tretë Botërore që ka nisur që në shkurt. Gati 400 të vdekur, 200 të shtruar në spital dhe mbi 30 mijë të papunë, janë një faturë e rëndë për një vend si Shqipëria. Por a jemi ne gati për një valë të dytë infektimesh? Greva e protesta mjekësh e infermierësh, që denoncojnë sipas tyre premtime të pambajtura, një numër i madh uniformash të bardha, që mësojnë gjermanisht në vend që të hanë bukë në pushimin e drekës, nuk premtojnë një gjë të mirë apo një dimër të qetë. Menaxhimi i deritanishëm i krizës ka sigurisht bashkëpërgjegjëse edhe papërgjegjshmërinë tonë si qytetarë, por ne në 25 prill 2021, do jemi votues dhe jo të votuar. Qeveria e di mirë këtë, si[ di mirë se presidenti bëri çmos, që zgjedhjet dhe fushata të jenë sa më afër, periudhës më të keqe të një vale të dytë të mundshme të pandemisë.
Ndaj ashtu si Trump në Amerikë, edhe qeveria po sheh me ankth nga vaksina. Si shpëtimi i vetëm nga një sëmundje, që edhe brenda pafuqisë së saj dhe fuqisë së panjohur të virusit, ajo nuk na ruajti dot. Si gjithmonë, ashtu si vaksina e drejtësisë, edhe kjo e koronës do të vijë nga jashtë. Të shpresojmë që kësaj radhe, do të funksionojnë. Jemi lodhur nga dështimet!*
*Editorial i lexuar në fillim të puntatës së përnatshme të “Real Story” në News24