Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar se Kombinati është zona ku Partia Socialiste do të fitojë votëbesimin më të madh të qytetarëve në zgjedhjet e 25 Prillit. Duke iu referuar edhe akuzave të Partisë Demokratike e cila ka zgjedhur këtë zonë, si një prej zonave më të dëmtuara nga tërmeti për propogandën e shpifjeve, Veliaj, në studion e ABC News u shpreh se të gjitha rastet e denoncuara nga PD kanë rezultuar bllof.
“Vendi ku ne do të fitojmë më bindshëm se çdo vend tjetër do jetë absolutisht Kombinati. Të tre rastet që ju përmendët nga eksponentët e PD, që tashmë janë dënuar me vendim gjykate për shpifje, ishin të treja raste të rreme. Ne kemi botuar të gjithë pagesat që të tre familjet i marrin në postë, i kanë tërhequr paratë, një pjesë e tyre i fut në xhep dhe nuk merr banesë me qira dhe sigurisht, për një ndërtesë të prishur nga tërmeti mund të ankohesh sepse patjetër që e ka lënë në kushte të këqija dhe për këtë arsye do të transferohet në një shtëpi të re, por teksa kjo qeveri dhe kjo bashki të ka dhënë pagesat dhe në të treja rastet ne i kemi nxjerrrë si raste flagrante mashtrimi është e drejta e tyre t’i marrin paratë t’i fusin në xhep. Të vazhdojnë të rrinë me PD, por Partia Socialiste dhe populli i Tiranës nuk u ka asnjë detyrim,” u shpreh Veliaj.
“Nuk ka vende në botë pa spekulantë, – shtoi kryebashkiaku, – por që një parti ta bazojë fushatën e vet mbi spekulimin, ky është një turp i madh. “PD do të pësojë disfatën më të madhe në Tiranë, sepse tallet me hallet e njerëzve,” deklaroi më tej Veliaj.
Kryetari i Bashkisë deklaroi se Tirana do i refuzojë spekulantët, që arrijnë të përdorin edhe fatkeqësinë dhe njerëzit e vuajtur për politikë.
“8-9 muaj bëjnë politikë me njerëz që qartazi janë ndihmuar. Unë besoj që koha do të tregojë qartazi që fitorja jonë në Tiranë është edhe falë punës për tërmetin dhe ky qytet nuk i duron spekulantët, ata që flenë gjumë dhe nuk i duron dot ata që bëjnë politikë me fatkeqësinë e tjetrit. Kjo do të jetë një déjà-vu për PD në Tiranë,” tha Veliaj.
/a.r