“Lehtësimi i barrës fiskale për biznesin ka krijuar një “frymëmarrje” për sipërmarrjen dhe për vetë ekonominë e vendit”. Në një komunikim për mediat, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, sëbashku me Kryeministrin Rama dhe ministrin e Rindertimit, Ahmetaj, theksoi se lehtësimi i barrës fiskale për biznesin e vogël nuk nisi sot, por ka qenë gjatë gjithë qeverisjes socialiste.
Ministrja iu referua paketës fiskale të vitit 2014 dhe konkretisht, kohës kur reduktimi i tatimit mbi të ardhurat për biznesin e vogël u ul nga 10% në 7.5% dhe u shfuqizua taksa e biznesit të vogël, ku përfituan 60 mijë biznese dhe çdo biznes i vogël përfitoi mesatarisht 43.000 lekë.
Ndërsa referuar paketës së vitit 2016, reduktimi vijoi i ndarë në dy kategori:
1- Së pari nga 7.5% në 0% për të gjithë bizneset me qarkullim vjetor 0 deri në 5 milionë lekë, ku përfituan rreth 73.000 biznese dhe 1.3 miliardë lekë në vit që më parë merreshin në buxhetin e shtetit iu kthyen biznesit të vogël.
2- Taksat nga 7.5% deri në 5% për bizneset nga 5 deri në 8 milionë lekë ku përfituan 15.560 biznese.
Ministrja Denaj, u fokusua në fjalën e saj tek paketa e vitit 2020, ku për të gjithë bizneset deri në 14 milionë lekë xhiro është 0 tatim fitimi dhe më tej është rritur pragu i TVSH-së në gati 10 milionë lekë xhiro qarkullim vjetor për të gjithë bizneset në këtë kategori.
“Më lejoni të theksoj përpjekjen e madhe që është bërë në gjithë këto vite për të formalizuar biznesin e vogël dhe ekonominë në përgjithësi. Më herët në raport me pragun e TVSH-së, është diskutuar pafund rreth faktit se pse u ul pragu i TVSH-së. Sigurisht, për një periudhë të caktuar ky prag shkoi në 2 milionë lekë, por le të mos harrojë që u formalizuan rreth 30.000 biznese dhe formalizimi i ekonomisë ishte dhe mbetet një prioritet i qeverisë socialiste. Sot kemi një numër të regjistruar biznesesh me 50% më shumë çdo vit sesa para vitit 2013”, u shpreh Denaj.
Gjithashtu ajo u ndal tek ajo që është quajtur “revolucioni digjital”, në shërbimet online.
“Është shumë e rëndësishme të vendosim në fokus se pse shërbimet online dhe ato të thjeshtuara për qytetarët dhe bizneset të vlerësohen në çdo moment e çdo kohë. Nga një deklarim mujor, ai u kthye në periudhë tre mujore dhe sot ky deklarim ndodh online. Prej vitit 2018 gjithë përpjekja për të lehtësuar shërbimin jashtë sporteleve u konkretizua në vitin 2019, ku 90% e shërbimeve në Administratën Tatimore ndodh online”, tha Denaj.
Ndërsa në raport me paketën e mbështetjes së pandemisë, ministrja theksoi, se janë 65.000 përfitues të paketës së parë me 3 muaj pagesë për 3 muaj mbyllje në një total prej 5.1 miliardë lekësh dhe për më shumë se 39.000 biznese.
/a.r