Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka ndryshuar kurs 180 gradë për sa i takon mosmarrëveshjeve me Greqinë, në lidhje me kërkimet në Mesdheun Lindor.
Dy postime në Twitter të Erdogan u bënë përshtypje të gjithëve, kur krejt papritur shkruan për zgjidhje diplomatike mbi situatën e krijuar, duke ulur tonet dhe lënë mënjanë demonstrimin e forcës.
“Turqia është një vend me histori mijëra vjeçare, shkruan ai në Twitter dhe shton se, pa dashur të krijojë probleme, do të vazhdojë t’i zgjidhë keqkuptimet me urtësi dhe mënyrë të kulturuar, duke marrë parasysh çdo kërkesë të sinqertë, me qëllim që t’i japë diplomacisë më shumë hapësirë për zgjidhje, nga të cilat të gjithë të dalin të fituar.
Postimet e presidentit turk, në fakt, duken si një përgjigje ndaj postimit të mëhershëm të presidentit francez, Macron, i cili i bënte thirrje Turqisë që të ulej në tryezë për një dialog të përgjegjshëm për t’i dhënë zgjidhje situatës.