Nga Zef Brozi*
Sa shpejt kaloi një çerek shekulli (21 Shtator 1995-21 Shtator 2020!
Kaloi një çerek shekulli (25 vite) nga nata e 21 shtatorit 1995 kur Parlamenti, me urdhër të Tiranit, dhunoi haptazi Kushtetutën e falsifikoi votat për të realizuar qëllimet e tij diktatoriale.
I pafund në Ligësi, Djallëzi, Intrigë e Pabesi, Tirani, i cili kishte nën thundrat e tij e në shërbim të vet të gjitha institucionet, nuk mund ta toleronte faktin se kishte dështuar më parë për ta burgosur kryetarin e Gjykatës së Kasacionit (sot Gjykata e Lartë) dhe shtypur edhe atë tentative pavarësie të gjyqësorit që ai kishte dëshmuar me disa vendime e vepra.
Në errësirën e 21 Shtatorit 1995, Tirani urdhëroi SHIK-un famëkeq dhe policinë të rrethonin godinën e Kasacionit dhe të survejonin e ndiqnin kryetarin e kësaj Gjykatë që po punonte në zyrë.
Deputetët e PD-s i urdhëroi të votonin shpejtazi ultimatumin e tij për shkarkimin e kryetarit të Kasacionit nga çdo funksion. Por Parlamenti nuk kishte kuorumin e nevojshëm për të filluar seancen e votimit sepse opozita kishte bojkotuar Parlamentin dhe disa deputetë të PD-s mungonin.
Tirani duket se i kishte marrë masat dhe kishte urdhëruar të votonin edhe për deputetë që mungonin. Dhe ashtu u bë. Provat e fallsifikimit të votave në Parlament janë të pakundërshtueshme: procesverbali i votimit dhe dëshmitë e disa deputetëve, përfshirë dhe disa nga ata që ndonëse nuk kishin qënë prezent në Parlament, vota e tyre rezultonte pro shkarkimit.
Vetëm me votat e falsifikuara u bë i mundur shkarkimi i rrufeshëm. Këto prova të falsifikimit janë bërë publike më 1995 e më pas në Shqipëri si edhe në disa institucione Perëndimore.
Unë, kryetari i Kasacionit, e mësova shkarkimin tim nga lajmet e orës 20:00 të darkës në televizionin shtetëror, kur akoma isha në zyrë edhe me përfaqësuesin e Ambasadës Amerikane.
Makina të SHIK-ut dhe policisë më ndoqën kur dola nga zyra dhe u nisa për tek spitali për të vizituar nënën time 88 vjeçare që ishte operuar, dhe kur shkova tek pallati ku banoja.
Kujdesi e dhëmbshuria për nënën time të shtrenjtë ishin mbi gjithçka edhe atë natë tinzare e të pazakontë.
Po e kujtoj atë natë të 21 Shtatorit 1995 jo për vete, por sepse e dua Shqipërinë dhe njerëzit e saj të mirë.
Unë me gjithë zemër uroj që asnjë pushtetar, politikan e ish- pushtetar të mos guxojë më të diktojë gjyqësorin e prokurorinë, të mos guxojë të vrasë, përgjakë, shkatërrojë e shkrumbojë vendin, sikurse ka ndodhur deri më sot.
Uroj që koha e pandëshkueshmërisë së krimeve e korrupsionit të politikanëve dhe pushtetarëve e ish-pushtetarëve të marrë fund tani, dhe jo më vonë. Njerëz- jeni vigjilent!
*Zef Brozi, ish Kryetar i Gjykatës së Kasacionit (23 Shtator 1993 – 21 Shtator 1995), posaërisht për gazetën “TemA”