Një lajm i mirë vjen për turistët vendas dhe të huajt të cilët kanë tashmë mundësi të vizitojnë edhe virtualisht Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Këtë fundjavë u prezantua aplikacioni i parkut “Divjakë Karavasta”, si dhe turi VR (Video Real) 360 gradë, për të vëzhguar parkun virtualisht në 360 gradë, duke u njohur me të gjitha atraksionet turistike, faunën, florën dhe informacionet e detajuara rreth tyre. Në aplikacion gjenden dhe informacione mjaft të vlefshme lidhur me vendet ku turistë mund të gjejnë ushqim tradicional, baret, si dhe vend për t’u akomoduar për kaluar një natë apo disa netë. Ndërtimi i aplikacionit dhe turit VR është pjesë e programit “Menaxhim i zgjuar i produktit kulturor për shfrytëzimin e vlerave natyrore qëndrueshmërinë dhe tërheqjen territoriale”.
“Është një projekt për përdorimin “Smart” të parkut kombëtarë Divjakë Karavasta, me mbështetje të fondeve të BE. Kemi punuar prej një viti për këtë aplikacion dhe tashmë kemi rezultatin. Parku ka aplikacionin e tij, si dhe një website. Vizitorët mund të marrin informacion më të shpejtë për parkun përmes këtyre aplikacioneve. në fillim menduam se këtë vit do të kishim një pasqyrim më të shpejtë në drejtim të numrit të vizitorëve, por pandemia na prishi llogarit tona. Mendojmë që vitin që do vijmë, ky aplikacion do ndikojë në rritjen e numrit të turistëve. Ky aplikacion dhe web site do përditësohet herë pas here”,- tha Ardian Koçi, drejtor i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
“Ky projekt lidhet specifikisht me menaxhimin e zgjuar të produktit turistik kulturor. Për shfrytëzimin e vlerave natyrore, qëndrueshmërinë apo tërheqjen territoriale. Kemi patur një list gjithëpërfshirëse aktivitetesh. Jemi përpjekur të realizojmë shumicën e tyre edhe pse në kushtet e pandemisë. Mund të veçojmë si pjesa më e rëndësishme aplikacioni dhe VR, që i jep mundësi vizitorëve për ta pasur më të prekshëm parkun, atraksionet turistike…etj. Këto shërbime janë më së shumti realizim i gjetjeve të bëra në terren, nga këto gjetje janë bërë disa pyetësor dhe intervista me ekspertë, aktorë lokal dhe qendror, që duhet të unifikojnë punën për të sjell një produkt sa më tërheqës turistik. Udhëtimi jonë ka qenë i suksesshëm. Në mes të udhës sonë, ne kemi patur dhe një trajnim dy ditor me persona të interesuar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe interesi ishte shumë i lartë. E realizuam online, duke u fokusuar tek turizmi i aventurës, që është dhe një nga nënpikat e këtij projekti. Shpresojmë që qytetarët dhe vizitorët e këtij parkut ta prekin nga afër atë që kemi prodhuar përmes këtij projekti”, tha për ATSH-në Dorian Leka, ekspert turizmi.
“Kemi ndërtuar një aplikacion që përfshin veç fotove landscape, ka dhe foto 360 gradë të parkut, tokësore dhe ajrore. Një vizitorë që është i interesuar për të vizituar parkun, mund ta shoh parkun përmes aplikacionit njësoj sikur të ishte në park. Aplikacioni është Free (falas) ,në të dyja platformat Android (https://play.google.com/store/apps/details?id=com.mobincube.my_park_tour_2.sc_EHëCJQ) dhe (IOS) Apple (https://apps.apple.com/us/app/id1527905598). Në aplikacion gjenden informacione mbi faunën, florën, falë përpjekjeve të grupit të ekspertëve që kanë punuar me faunën e florën dhe ky informacion aksesohet lehtësisht, ku janë shoqëruar dhe me foto, ashtu siç edhe mund të gjejnë baret, restorantet dhe vendet e akomodimit brenda në park”,- u shpreh Edvin Rushitaj, ekspert VR Tour 360 dhe APP Platform për ATSH-në.
Ky projekt realizohet përmes grantit të dhënë nga Projekti për Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal. Projekti financohet nga Komisioni Europian dhe zbatohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC), si një përpjekje për të kontribuar në rritjen dhe konkurrueshmërinë e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur zhvillimin dhe promovimin e propozimeve të përbashkëta rajonale në turizmin kulturor dhe të aventurës.
/a.r