Deputetja Rudina Hajdari i ka dërguar një letër Kësshilit Politik ku i kërkon që të mblidhen ditën e martë, 22 shtator, ora 10:00 për të punuar non stop deri në realizimin e një dokumenti të dakordësuar për mundësimin e hapjes 100% të listave.
Sipas Hajdarit në letrën e saj shprehet se ka ardhur koha që të gjithë ne të lëmë mënjanë interesat e ngushta personale dhe partiake dhe të shohim interesat madhore të vendit duke punuar natë e ditë për ti dhënë Shqipërisë një Kod Zgjedhor dhe një palë zgjedhje model.
Letra e plotë:
Të nderuar anëtarë të Këshillit Politik,
Si fillim dua të shpreh shqetësimin tim për situatën e krijuar në Këshillin Politik, lidhur me mungesën e progresit për cështjet që kanë të bëjnë me amendimet e Kodit Zgjedhor dhe përshtatjen e tij për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në 25 prill të vitit 2021.
Unë besoj se ka ardhur koha që të gjithë ne të lëmë mënjanë interesat e ngushta personale dhe partiake dhe të shohim interesat madhore të vendit duke punuar natë e ditë për ti dhënë Shqipërisë një Kod Zgjedhor dhe një palë zgjedhje model.
Në këtë kontekst, duke përshëndetur qëndrimin konsensual që u arrit nëpërmjet deklaratave publike të të gjitha palëve politike, lidhur me hapjen e listave 100%, do të doja që të vijonim punën e Këshillit Politik për ta përmbyllur këtë process, i cili sot gëzon mbështetjen e mbi 80% të shqiptarëve si edhe dakordësinë paraprake të palëve.
Unë dhe grupimi që përfaqësoj kemi përgatitur amendamentet përkatëse të Kodit Zgjedhor të cilat garantojnë hapjen 100% të listave, jo vetëm si mekanizëm I shprehjes së opinionit popullor mbi cilësinë e kandidatëve por mbi të gjitha si një mekanizëm përzgjedhës I deputetëve të ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë.
Amendimet dhe relacionin shoqërues I gjeni bashkangjitur këtij emaili.
Duke qenë se edhe PS, edhe PD edhe LSI janë shprehur tashmë publikisht se qëndrojnë për hapjen 100% të listave, unë ju ftoj të takohemi ditën e martë, 22 shtator, ora 10:00 për të punuar non stop deri në realizimin e një dokumenti të dakordësuar për mundësimin e hapjes 100% të listave, për tua dhënë zgjedhësve në dorë fuqinë për të përzgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvend.
Do të ishtë zhgënjyese për të gjithë shqiptarët por edhe anti-kushtetuese nëse palët do të tërhiqeshin nga qëndrimet tashmë të qarta mbi mundësimin e përzgjedhjes së përmbajtjes së Kuvendit të ardhshëm nga shqiptarët e jo thjesht nga Kryetarët e partive.
Duke shpresuar në një reagim pozitiv e konstruktiv,
Me respekt, Rudina Hajdari
/e.rr