KORÇË– 6 refugjatë afganë u kapen nga policia pasditen e djeshme në hyrje të qytetit të Pogradecit në zonën e quajtur “Enkelana”. Mes tyre ishin 3 të rritur dhe 3 fëmijë.
Mësohet se ata kishin ardhur në këmbë nga kampi në Greqi drejt Korçës dhe nga Korça në Pogradec në këmbë. Ata janë parë nga kalimtarë të rastit si fillim që i kanë gjetur duke qarë në rrugë pasi kishin mbetur aty. Ata janë shprehur se kishin ecur pre 7-8 ditësh për të mbërritur deri në Pogradec.
Mes lotësh dhe duke thënë nuk jam terroriste, njëra prej vajzave adoleshente kërkonte të ikte në Tiranë tek nëna e saj.
Një tjetër, shprehet se po tentojnë të ikin në një vend më të mirë drejt BE. Ata u morën nga policia kufitare dhe u transportuan drejt Korçës për procedura të mëtejshme.