Nga Ilir Yzeiri
U bë kohë që Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik e plotëson, e korrigjon dhe e paraqet për të disatën herë paketën ligjore që ka hyrë në terminologjinë e përgjithshme me emrin ligji « anti- shpifje » dhe në vend është krijuar një situatë pak sureale, sepse kjo inisitaivë e qeverisë ka rindezur edhe njëherë debatin jo thjesht për shpifjen, por për lirinë e medies, lirinë e individit, për atmosferën e përgjithshme të lirisë në Shqipëri e të tjera.
Kjo inisitaivë është kundërshtuar fort nga organizata dhe individë që kanë një qasje kritike ndaj kryeministrit Rama dhe, ky rast, u dha atyre dorë edhe njëherë që të artikulonin akuzat për ndërhyrje në lirinë e shtypit e të medieve, iu dha, gjithashtu, një mundësi që ta paraqisinin Ramën me të gjitha ngjyrimet politike që i shkojnë një diktatori. Madje, disa u shtynë më tej duke thënë se kjo do të na afrojë më Kinën, Rusinë apo vende të tjera autokratike.
Një pjesë tjetër e opinionit ku futet edhe autori i këtyre radhëve, që nuk ka këtë vështrim për lirinë e medies në Shqipëri dhe për Ramën, pra, që nuk mendon se Rama ka tendenca autoritariste dhe po kërkon të fusë nën kontroll medien, u shprehën, po ashtu, të distancuar nga kjo nismë e qeverisë dhe nuk u pajtuan me nxitimin e qeverisë për të përfshirë në këtë nismë ligjore AMA-n, institucionin me sfond politik që zgjidhet nga Parlamenti si garant për të zbatuar këtë nismë ligjore. Edhe Komisioni i Venecias, edhe Këshilli i Europës i kanë kërkuar qeverisë që të heqë dorë nga kjo inisiativë dhe të mos përfshijë organizma me sfond politik në implementimin e këtij ligji.
Gjithë ajo që ka shkaktuar këtë përplasje është se në projektligj është parashikuar që pranë AMA-s të ngrihet Këshilli i Ankesave dhe ai të shqyrtojë anikmimiet e të prekurve nga përhapja e informacioneve që klasifikohen si shpifje për një individ, subjekt apo entitet të çfarëdoshëm. Gjithë procedurat e tjera pastaj për operativitetin, për shpejtësinë me të cilën ndërhyn ky organizëm si dhe hapësira që i jepet Ofruesit të shërbimit të publikimit elektronik që ta ankimojë vendimin në Gjykatë apo edhe plot teknikalitete të tjera që e bëjnë këtë ligj të zhdërvjellët, nuk e shpëtojnë, megjithatë, nga një e metë thelbësore, që është futja e qeverisë në punën e medieve. Të gjitha ato që pretendojnë përfaqësuesit e mazhorancës se ky ligj nuk mbyll portale, se ky ligj nuk
ka për qëllim që të kufizojë lirinë e shprehjes, e plot të tjera, mund të jenë të vërteta dhe unë personalisht nuk mendoj se kjo qeveri dhe Edi Rama e ka këtë qëllim. Asnjëherë. Mirëpo, ligji nuk bëhet vetëm për këtë mazhorancë, e para. Ai mund të rrijë aty dhe nesër mund të përdoret nga një tjetër mazhorancë që ndoshta nuk e ka këtë dëshirë që të respektojë lirinë e medies. Dhe e dyta, ajo që është më e rëndësishme, ky projektilgj nuk përfill një aksiomë të paprekshme që mbërthehet në një fjali : shtypi është i lirë.
2.
Problemi i shpifjeve, denigrimeve, përhapjes së lajmeve të rreme, shantazheve dhe sidomos histeria kolektive që ka përfshirë thuajse të gjithë për t’u shndërruar nga lexues në autorë, për të shfrytëzuar hapësirën e jashtëzakonshme të autrostradës së internetit për qëllime nga më të lartat deri të ato më të ultat, nga ato më fisniket deri ato me frymëzim terroirist, nuk është një problem vetëm i yni, por është një problem botëror. Sot mirëmbajtja e rrjeteve nacionale të internetit, ruajtja nga hakerimi, kujdesi për të mos rrezikuar sigurinë kombëtare, vigjilenca për të mbajtur larg infiltrimet me sfond isalmik apo terrorist, janë dhe duhet të jenë prioritet për çdo shtet serioz. Ndërsa sa i takon lirisë sonë, ne sot atë e kemi humbur që në momentin që fusim të dhënat tona në një faqe. Teknika të sofistikuara kanë mundësuar që privatësia jonë të jetë një iluzion. Gjithçka shkruajmë e komunikojmë në rrjetet sociale është e survejuar dhe kontrolluar nga « Vëllai i madh ». Ky është problemi i madh i epokës sonë.
Një tjetër problem, po ashtu, është edhe deformimi që po pëson edukimi i fëmijëve e të rinjve tanë si rezultat i përdorimit pa kriter të kësaj hapësire dhe mungesa e programeve kombëtare për të nisur edukimin e vërtetë dhe për të nxitur shfytëzimin e kësaj pasurie për interesa të zhvillmit.
Vështruar kështu, shpifja është gjëja e fundit me të cilën mund të merret një vend apo një shtet. Pse? Sepse të prekurit nga kjo figurë « krimi » nëse do të përdornim këtë term, janë një kategori e caktuar njerëzish që, përgjithësisht, njihen si persona publikë, si njerëz që kanë një pozitë shoqërore, pra si të zgjedhur prej publikut apo të emëruar prej instancave të caktuara që të kenë një pozicion për të cilin shoqëria i paguan. Kjo kategori që nis me politikanët, me gazetarët, me shtetarët dhe nëpunësit e të gjitha kategorive, shkurt, të gjithë ata që kanë ose kryejnë një funksion publik, pra që me punën e tyre kanë në dorë apo menaxhojnë një anë të të mirave publike, qoftë kur janë shtetërorë, qoftë kur janë privatë do të jenë në syrin e ciklonit. Duke qenë kështu, ata janë vetvetiu në sy dhe në vëmendje të publikut.
Tani që janë krijuar mundësitë që potencialisht çdo përdorues interneti të jetë edhe një autor, është e pamundur që të shpëtosh nga vëmendja e mirë apo e keqe e këtij publiku. Siç e kemi parë, në gjithë këta vjet njerëzit që kanë rënë viktima të shpifjeve kanë qenë kryesisht politikanë, por edhe gazetarë. Dhe këtu dua të përmend rastin e kolegut tim Muhamet Veliu të cilin një gazetar shqiptar para disa vjetësh e bëri si organizues dhe nxitës të terrorizmit në një shkrim në një gazetë shqiptare që del në diapsorë. Po ashtu nëpunës të vegjël e të mëdhenj bëhen pre e lajmeve spekulative ose ndaj tyre ushtrohen presione si gjoba në mënyrë që një portal apo medie e caktuar të arrijë një përfitim të pamerituar. E gjithë kjo është e vërtetë. Por të mos harrojmë se e gjithë kjo është edhe pjesë e lojës demokratike. Të gjithë ne duhet të mësohemi se tani nuk mund të jetojmë sikur nuk ndodh asgjë dhe se përdorimi dhe keqpërorimi i rrjeteve sociale është në natyrën e një shoqërie që ka dalë nga një natë e errët dhe që tani është në një shthurje totale.
Problemi më i madh që ka sot shoqëria jonë përsëri sipas meje nuk është shpifja, por roli tragjik që ka marrë ligjërimi i politikanëve shqiptarë të cilët i kanë hapur garë njëri-tjetrit që në emër të luftës ndaj kundërshtarit të ndërtojnë tekste halucinante që nuk mbështeten në fakte, por të një aftësi që ka gjuha që të thuash gjithçka pa ndodhur asgjë. Siç thohet në teoritë e gjuhës, me anë të saj mund të ndërtohen fiksione dhe gënjeshtra që i serviren publikut si ngjarje reale. Fjala vjen nëse ti lexon një roman sentimental që ka skena të dhimbshme edhe ti rrëmbehesh e mund të të shpëtojnë lotë, megjithëse ti e di që po lexon një ngjarje të trilluar. Pikërisht këtë aftësi të gjuhës përveç shkrimtarëve e shfrytëzojnë edhe sharlatanët dhe ndërtojnë tekste të trilluara për të denigruar kundërshtarin politik. Sot këto tekste, që në të shumtën e herës, quhen « fake news » po shoqërohen edhe me të tjera më të ndërlikuara që quhen « deepfake news » në të cilin manipulimi bëhet jo vetëm me tekst por edhe me figurë. Pra prodhohet një lajm i rremë dhe me teknikat e « deepfake » vendoset edhe portreti i atij që denigrohet dhe ai shfaqet me zë dhe me figurë duke treguar një histori të kurdisur nga ata që duan ta denigrojnë. Shtoji kësaj edhe teoritë konspirative që po mbushin globin dhe situata bëhet edhe më e koklavitur dhe shpifja mbetet përsëri në periferi të atyre shqetësimeve me të cilat edhe ne do të përballemi nesër.
Kjo mendjelehtësi kriminale sidomos e disa politikanëve tanë dhe këtu kam parasysh kampionin e « fake »-ut në Shqipëri Sali Berisha, ndotësin më të madh dixhital të të gjitha kohërave besoj, e ka dëmtuar atmosferën e përgjithshme të komunikimit publik dhe ka prodhuar ashtu si matrioshkat ruse, kopje më të vogla të këtij modeli të cilat kopje nga mëngjesi në darkë artikulojnë vetëm lajme të rreme për fitore me 100 e me dyqind deputetë e të tjera më të shëmtuara siç ishte ajo e stadiumit të Përmetit që do përmbyset sepse do kërkohen eshtrat e ushtarëve grekë.
Mirëpo edhe kjo është pjesë e lojës demokratike dhe këtë flamë ne duhet të presim që të largohet nga koha. Ajo që duhet të bëjme ne si shoqëri duhet të jetë investimi në arsim, në kulturë e në sport. Shqipëria, për fat të keq, nuk ka një program të thellë e të plotë edukimi. Nëse do të duam që nesër të kemi një brez shqiptarësh me edukatën dhe kulturën europiane ne duhet të fillojmë që sot të mendojmë që fëmijët shqiptarë kudo që ata ndodhen të përfshihen në një plan edukimi afatgjatë si këtu te ne ashtu edhe në Kosovë. Ne nuk jemi vend i madh, por nuk kemi pse të sillemi si komb i vogël. Nëse ka një gjë që mund dhe duhet ta shpëtojë këtë vend nga çnderimi intelektual që po i bëhet ai është investimi në edukim, në shkollë, në kulturë e në sport. Dhe në këtë rast edhe ineterneti kjo pasuri e madhe e epokës sonë mund të na ndihmojë të ndërtojmë plane afatgjata për të rritur një brez më të mençur dhe më të ditur.