Dritan Rexhepi, i cilësuar si kreu i grupit kriminal të shqiptarëve që sillnin kokainë nga Amerika Latine në Europë, nuk mund të ekstradohet. Interpol Tirana ka saktësuar do të jetë i vështirë kthimi i tij në Europë, pasi asnjë prej vendeve që e ka shpallur në kërkim nuk ka marrëveshje ekstradimi me Ekuadorin.
Aktualisht Rexhepi ndodhet në një nga burgjet e këtij vendi dhe dyshohet se nga qelia ka vijuar të drejtonte grupin. Rexhepi kërkohet nga Shqipëria për vrasje të dyfishtë dhe nga Belgjika, por në asnjë moment nuk është realizuar dot ekstradimi i tij.
Për grupin shqiptar të kokainës, kanë nisur hetime të tjera, duke filluar nga ajo e pastrimit të parave. Policia pritet të verifikojë pasuritë që Eldi Dizdari apo familjarët e tij kanë vendosur gjatë këtyre viteve në vendin tonë. Metoda se si grupi shqiptar pastronte paratë, ishte duke i transferuar nga një shtet në tjetrin dhe duke humbur gjurmët e origjinës së saktë.
Për dy nga 5 të arrestuarit në Shqipëri, Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg. Elvis Jaupaj dhe Jorin Llambro do të qëndrojnë në qeli për 40 ditë derisa të vijnë dokumentet nga Italia.
Vetëm në 5 vitet e fundit autoritetet kishin mundur të sekuestronin 5.5 milionë Euro që buronin trafiku dhe rreth 4 tonë kokainë. Hetimet janë kryer në Itali, ndërkohë që operacioni ndërkombëtar u koordinua nga EUROPOL.
/a.r