Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, është larguar nga kjo detyrë ditën e sotme dhe është zëvendësuar nga Elena Pici.
Por ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, mohon që Ndreca të ketë dhënë dorëheqjen, por sipas tij, ka marrë një tjetër detyrë. Në një prononcim për mediat nga Gjirokastra, Lleshaj nuk dha detaje për detyrën e re të Plarent Ndrecës.
Po kështu, ai mohoi pretendimet që Plarent Ndreca të ketë dorëzuar dorëheqjen 1 javë më parë dhe që kjo çështje të ketë lidhje me tenderat e uniformave blu.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme ditën e sotme ka dhënë dorëheqjen. A është e vërtetë që ka një javë dorëheqja në zyrën tuaj dhe ju nuk e keni firmosur dhe a ka lidhje me tenderat e uniformave blu?
Ministri Lleshaj: Së pari, nuk ka një dorëheqje të Sekretarit të Përgjithshëm, ka një lëvizje të Sekretarit të Përgjithshëm në një detyrë tjetër. Ju e dini që administrata publike funksionon si e tërë dhe në kuadër të menaxhimit të kësaj administrate publike bëhen lëvizje, të cilat janë krejt të natyrshme në një strukturë të tillë. Histori me tenderat nuk ka. Sekretari i Përgjithshëm nuk është marrë me tenderat, nuk merret me tenderat, se tenderat kanë një agjenci të specializuar, e cila i kryen ato dhe i nënshtrohen një procesi të veçantë auditimi, verifikimi, hetimi, kur kanë nevojë për t’u hetuar. Por dua t’ju them që gjithçka është në nivelet optimale. Ministria e Brendshme është sot në ditën më të angazhuar të punës së saj për të menaxhuar rendin, sigurinë dhe fusha të tjera të përgjegjësisë.
/a.r