Presidenti Ilir Meta kërkon që të merren masa sa më shpejt për të bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.
Përmes një shkresë në datën 15 shtator 2020, Meta ka përcjellë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe Avokatit të Popullit, qëndrimin zyrtar “Mbi vonesat dhe problematikat në ripërtëritjen dhe bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”.
Në këtë letër Presidenti Meta ka evindentuar problematikat, anomalitë dhe vonesat e pajustifikuara, duke kërkuar njëkohësisht zbatimin e Kushtetutës dhe të Ligjit, si dhe marrjen e masave emergjente për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
Në respekt të parimit të transparencës që ka shoqëruar gjithmonë veprimtarinë e Kreut të Shtetit, ky qëndrim publikohet në faqen zyrtare të Institucionit.
Letra e plotë:
E nderuara zonja Tusha,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi,
Presidenti i Republikës, në cilësinë e tij si Kryetar i Shtetit (neni 86 i Kushtetutës); të organit të emërtesës së emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë (neni 136 i Kushtetutës); të organit të emërtesës për emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të organit përzgjedhës me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi 2020 (neni 149/d i Kushtetutës), ka ndjekur me vëmendje të gjithë veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në vitet 2019-2020, dhe nëpërmjet kësaj shkrese dëshiron të adresojë sërish përpara KED-së dhe në vëmendje e për dijeni të të gjitha institucioneve të përfshira, mbi problematikën dhe vonesat e krijuara në plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
Veprimtaria e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për fat të keq, nuk po ecën me ritmet e kërkuara duke sjellë të tjera vonesa të pajustifikuara në procesin e ringritjes dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës në mënyrë të përsëritur si publikisht, ashtu dhe në formë shkresore, i është drejtuar si Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ashtu dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor në lidhje me problematikat e konstatuara.
Edhe pse ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese është një nga 15 kushtet e Bashkimit Evropian për nisjen e procesit të negociatave të anëtarësimit dhe nevojë jetike për Shqipërinë, sërish duket se kjo nuk është kuptuar drejtë, për sa kohë kjo çështje ngjan se nuk ka marrë vëmendjen e duhur si prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ashtu dhe prej Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Më duhet të risjell në vëmendje të KED-së shkresat e përsëritura të Institucionit të Presidentit të Republikës drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me nr. 1117/2 prot., datë 10.04.2020, nr.1988/4 prot., datë 29.06.2020, nr. 2357/1 prot., datë 10.07.2020, apo dhe shkresa me nr. 735/3 prot., datë 04.09.2020.
Në të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës, qoftë edhe atyre të shprehura publikisht përmes përfaqësuesve të autorizuar prej tij në mbledhjet e KED-së, po ashtu nëpërmjet shkresave të sipërcituara drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i është përsëritur thirrja e përhershme që të angazhohet për të vijuar veprimtarinë e pandërprerë për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese në procesin e plotësimit dhe bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të plotë, brenda një kohë sa më të shkurtër.
Mosfunksionimi i KED 2017 dhe KED 2018, dhe problematika që shfaqi KED 2019 janë analizuar dhe trajtuar tashmë në Opinionin e Komisionit të Venecias për Shqipërinë, së bashku me pasojat që kanë sjellë për sistemin e drejtësisë, por për fat të keq, edhe pse Komisioni i Venecia vërtetoi se ky organ (KED-ja) përgjatë vitit 2019 shfaqi problematika të rënda në funksionimin e tij, sërish edhe përgjatë vitit 2020, veprimtaria e tij nuk ka ecur në ritmin e kërkuar.
Për më tepër, së fundmi KED-ja ka shfaqur disa problematika, të cilat mbartin me vete rrezikun që të vonojnë dhe/apo të cenojnë produktin e tij.
Ndërkohë që, përballë situatës faktike në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë përgjatë gjithë kësaj periudhe, përveç kërkesave zyrtare në adresë të KED-së, Presidenti i Republikës që prej qershorit 2019 me shkresat me nr.1778 prot., datë 06.06.2019, nr. 1778/2 prot., datë 03.07.2019, nr. 2718/1 prot., datë 15.01.2020, nr. 1117 prot., datë 09.03.2020, nr. 1117/2 prot., datë 10.04.2020, nr. 1473 prot., datë 04.05.2020, nr. 1473/2 prot., datë 15.05.2020, nr. 1671 prot., datë 22.05.2020, ka mbajtur gjithashtu një komunikim të vazhduar me Këshillin e Lartë Gjyqësor, sa i takon çështjes së përfundimit të procedurave për propozimin e kandidaturave për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion përmes këtyre shkresave zyrtare, duke shprehur shqetësimet për gjendjen dhe vonesat e procedurave të plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë si dhe duke kërkuar njëkohësisht marrjen e masave prej këtij organi për shqyrtimin dhe propozimin sa më parë të kandidaturave për plotësimin e të gjitha vakancave në këtë gjykatë.
Përveç të tjerave, Presidenti i Republikës i ka ofruar KLGJ-së përmes këtyre shkresave mbështetje institucionale për çdo nevojë apo kërkesë që mund të kishte.
Edhe pse angazhimi dhe kërkesat nga Presidenti i Republikës kanë qenë të përsëritura në mënyrë të vazhduar, sërish situata mbetet në të njëjtin stad të pajustifikuar, pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor edhe pse po mbush dy vite nga konstituimi i tij, deri më tani ka propozuar për emërim në Gjykatën e Lartë vetëm 3 (tre) kandidatë nga radhët e juristëve të spikatur në datën 5 mars 2020, të cilët u emëruan menjëherë nga Presidenti i Republikës në datën 10 mars 2020.
Ndërkohë që KLGJ-ja ende nuk ka përfunduar procedurat e verifikimit dhe vlerësimit për plotësimin e 15 anëtarëve të tjerë të kësaj gjykate ku përfshihet dhe pozicioni i katërt në Gjykatën e Lartë, që duhet të plotësohej nga radhët e juristëve të spikatur.
Edhe pse kjo procedurë ka filluar nga KLGJ-ja përpara 1 (një) viti me vendim nr. 172, datë 11 shtator 2019, deri më tani kjo procedurë nuk ka përfunduar dhe asnjë shkak apo arsye nuk është dhënë përse po mbahet peng plotësimi i vendit të katërt në Gjykatën e Lartë, që duhet të plotësohet nga radhët e juristëve të spikatur!
Kujtoj se në komunikimin me Presidentin e Republikës KLGJ-ja, me shkresën nr. prot. 1651/1, datë 10.03.2020, ka informuar zyrtarisht se: “përmbyllja e kësaj procedure, në rast të kualifikimit të kandidatit të fundit, është e pritshme të përfundojë brenda pak javëve.”
Ndërkohë që, me shkresën tjetër të datës 21.05.2020, me nr. prot. 1651/15, KLGJ-ja ka informuar Presidentin se: “[…] nga ana e Këshillit po vlerësohet gjetja e një zgjidhje sa më të shpejtë për zhvillimin e mbledhjes plenare pranë selisë së tij, ku do të shqyrtohen edhe materialet në lidhje me verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore të kandidatit që konkuron për pozicionin e shpallur me vendimin nr. 172, datë 11.09.2019.”
Kanë kaluar 4 muaj nga ky qëndrim dhe KLGJ-ja në mënyrë të pashpjegueshme dhe të pamotivuar ligjërisht ende nuk ka mundur të përmbyllë shqyrtimin e vetëm një kandidature të ngelur në garë për këtë vend vakant. Kjo situatë është e papranueshme për Presidentin e Republikës!
Gjithashtu edhe procedurat për emërimin e 14 anëtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë që do të duhet të plotësohen nga radhët e magjistratëve si rezultat i procedurave të ngritjes në detyrë, nuk dihet se kur do të përfundojnë. KLGJ-ja në 28 shkurt 2020 ka hapur garën dhe po kryen procesin e verifikimit të kandidatëve vetëm për 6 vende vakante të shpallura. Në muajin 9 korrik 2020 ka hapur garën dhe për 5 vende të tjera vakante, ndërkohë që mbeten ende të pashpallura 3 vende vakante, për të cilat nuk rezulton të jetë hapur gara për aplikim.
Këshilli i Lartë Gjyqësor në mënyrë të pashpjegueshme dhe të pamotivuar ligjërisht nuk ka kryer shpalljen njëkohësisht të të gjitha vakancave përballë nevojës imediate të funksionimit të plotë të Gjykatës së Lartë, dhe po në mënyrë të pashpjegueshme nuk duket se është angazhuar me të gjitha burimet për shqyrtimin me përparësi të kandidaturave për këto vende vakante të shpallura për aplikim.
Plotësimi i Gjykatës së Lartë me të gjithë anëtarët e saj është evidentuar si çështja më serioze nga Komisioni i Venecias në Opinionin e tij nr. 978, datë 19 qershor 2020 “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”. Në këtë Opinion, veç të tjerave në paragrafët 31, 67, 76, 85, 86, 87, 101, 104, dhe 108 është vlerësuar jo vetëm gjendja aktuale, por dhe rëndësia jetike që ka bërja funksionale sa më shpejt e Gjykatës së Lartë.
Duke e vlerësuar këtë situatë shumë serioze dhe me përgjegjësi, Presidenti i Republikës me shkresën nr. 1988/5 prot., datë 29.06.2020, ashtu si gjithë organeve të tjera i është drejtuar sërish Këshillit të Lartë Gjyqësor duke kërkuar prej këtij organi që të funksionojë në mënyrë të pavarur, për të përfunduar sa më parë dhe pa asnjë vonesë procesin e shqyrtimit, verifikimit, vlerësimit dhe propozimit të kandidaturave për plotësimin e të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe duke i ritheksuar se, kjo detyrë duhet të jetë përparësia kryesore e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi lidhet drejtpëdrejtë jo vetëm me mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ruajtjen e stabilitetit ekonomik të shtetit shqiptar, por përbën një çështje jetike për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Plotësimi i të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, është thelbësore dhe për funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese, pasi në cilësinë e organit të emërtesës Gjykata e Lartë do të duhet të shprehet për emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata e Lartë nuk është funksionale sipas ligjit, rrjedhimisht bllokohet dhe emërimi i tre anëtarëve të tjerë në Gjykatën Kushtetuese, duke sjellë sërish pengesë në funksionimin e plotë të kësaj të fundit.
Nga vështrimi kronologjik i të gjitha fakteve të sipërcituara rezulton se Këshilli i Lartë Gjyqësor, një organ ky i mbledhur për herë të parë në 20 dhjetor 2018, në shumicën e rasteve paraqet vonesa të pajustifikuara në verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën e Lartë.
Në këto kushte, ndihem i detyruar t’ju përsëris thirrjen se, në një situatë të tillë Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të vijojë punën në mënyrë të pandërprerë për t’i përmbyllur sa më parë verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve për plotësimin e të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë. Çdo veprim që nuk shkon paralel me kërkesën dhe nevojën jetike që ka vendi, do të kuptohet si veprimtari e qëllimtë për bllokimin e funksionimit si të Gjykatës së Lartë ashtu dhe të Gjykatës Kushtetuese, çka kërkon mbajtjen e përgjegjësive ligjore nga çdo funksionar.
Ndërkohë që siç treguesit evidentojnë, vendi rrezikon të përballet me një situatë tjetër problematike për shqyrtimin e çështjeve edhe në gjykatat e apelit, ku si rezultat i procesit vetting apo dorëheqjeve, numri i gjyqtarëve në këto gjykata veçanërisht në Gjykatën Administrative të Apelit është reduktuar ndjeshëm, duke bërë që të gjitha çështjet të kapërcejnë disa herë afatet ligjore të shqyrtimit të tyre, duke cenuar kështu parimin e shqyrtimit brenda një afati të arsyeshëm, jo vetëm për çështjet e depozituara në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, por dhe në gjykatat e apelit.
Nga ana tjetër, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, referuar të dhënave dhe gjendjes së procesit të shqyrtimit të kandidaturave, ka aktualisht në proces shqyrtimi tre vende vakante në Gjykatën Kushtetuese 2 (dy) që duhet të emërohen nga Presidenti dhe 1 (një) nga Kuvendi. Listat me kandidatët për plotësimin e këtyre vendeve vakante i janë përcjellë KED-së që prej vitit të kaluar (në periudhën shtator, dhjetor 2019).
Në formë shkresore, por edhe përmes përfaqësuesve të autorizuar në mbledhjet e KED-së, ndër të tjera i kam bërë me dije Këshillit që për çdo pengesë që mund të ndeshë ky organ në punën e tij, është i lutur të njoftojë Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit, në cilësinë edhe të organeve të emërtesës, në mënyrë që përmes reagimeve institucionale, të jepej mbështetje që këto pengesa të kapërceheshin.
Deri më tani, Presidenti i Republikës, nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar se cilat janë pengesat në veprimtarinë e KED-së dhe çfarë e ka frenuar këtë organ që të përfundonte shqyrtimin e kandidaturave për këto tre vendeve vakante!
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi 2020, i zgjedhur nga Presidenti i Republikës sipas Kushtetutës përmes shortit të zhvilluar në datë 5 dhjetor 2019, deri më tani ka zhvilluar përgjatë vitit 2020 gjithësej 9 mbledhje. Katër mbledhje janë zhvilluar në datat 15 janar, 3 shkurt, 5 shkurt, 6 shkurt 2020 nën drejtim e ish-Kryetarit, zotit Ardian Dvorani. Ndërkohë që KED-ja pas një ndërprerje prej më shumë se 4 muaj e 24 ditë, është mbledhur dhe ka zhvilluar 5 (pesë) mbledhje në datat 30 qershor, 10 korrik, 17 korrik, 17 gusht, 21 gusht 2020, nën drejtimin e Zëvendëskryetarit, zonjës Vitore Tusha. Mbledhjet janë zhvilluar nën drejtimin e Zëvendëskryetares si rezultat i vendimarrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor të datës 11 qershor 2020, i cili u shpreh për ndërprerjen e së drejtës për të qëndruar në detyrë të ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe të ish-Kryetarit të KED-së, zotit Ardian Dvorani.
Referuar të dhënave të administruara rezulton se KED në mënyrë të pajustifikuar nuk është thirrur për t`u mbledhur asnjëherë, as fizikisht dhe as duke përdorur mjetet e komunikimit elektronik për një periudhë prej 4 muaj e 24 ditë (6 shkurt-30 qershor 2020) edhe pse Këshilli përpara apo gjatë kësaj periudhe është njohur me fakte dhe rrethana të cilat duhet të investonin dhe kërkonin doemos thirrjen e mbledhjes prej Kryetarit të tij.
Në këtë mënyrë, edhe pse KED-ja ka administruar prej vitit të kaluar (në shtator 2019) listat dhe dokumentacionin e kandidatëve për dy vende vakante (një të Presidentit dhe një të Kuvendit), dhe në muajin dhjetor 2019 listën dhe dokumentacionin e kandidatëve për një vend vakant që i përket Presidentit të Republikës, sot e kësaj dite kur po mbushen 12 muaj nga shpallja dhe dërgimi i listave të dy vendeve vakante, KED-ja nuk ka përfunduar shqyrtimin përfundimtar të tyre.
Kujtoj që për plotësimin e të tre vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në datën 6 qershor 2020 përmes ish-Kryetarit Ardian Dvorani ka relatuar përpara Kuvendit (në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit) se dokumentacioni është gati dhe brenda muajit korrik 2020 do të përmbyllte të gjitha procedurat për këto tre vende vakante.
Përpos këtyre fakteve, së fundmi janë vërejtur disa anomali që mund të çojnë në devijimin e veprimtarisë normale të KED-së, të cilat janë në kufijtë e shkeljeve kushtetuese dhe ligjore prej tij.
Shqetësimet në lidhje me këto devijime në veprimtarinë e KED-së, Presidenti i ka bërë me dije përmes përfaqësuesve të tij në mbledhjet e zhvilluara përgjatë kësaj periudhe [1], por sërish duket se veprimtaria e KED-së është nën trysni dhe vijon të shfaqë problematika të theksuara ligjore të cilat mund të sjellin vonesa të tjera në punën e tij.
Në datë 10 shtator 2020, përmes komunikimit elektronik, Zëvendëskryetari i KED-së ka njoftuar dhe Institucionin e Presidentit të Republikës se:
“Ditën e mërkurë, datë 16.09.2020, ora 11:00, thirret mbledhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me këtë rend dite:
- Miratimi i procesverbaleve të përmbledhur të mbledhjeve të KED-së, të datave 17.08.2020 dhe 21.08.2020.
- Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.
– Altin Binaj
– Artan Spahiu
– Dedë Kasneci
– Gentian Mete
- Diskutim për vlerësimin e njoftimit të organeve të emërtesës, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, për rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, vakanca të parakohshme.
Diskutim lidhur me ‘Njoftim qëndrimi’ të përcjellë nga zoti Ardian Dvorani me e-mailin e datës 20.08.2020.
- Vendimmarrja lidhur me lejimin/ndalimin e kandidimit të kandidatëve të mësipërm”.
Nga përmbajtja e rendit të ditës, konstatohen disa problematika për pikat 2, 3, 4, 5 të rendit të ditës, të cilat po jua sjellim në vëmendje si më poshtë:
- Në lidhje me pikën 2 dhe 5 të rendit të ditës, evidentohet se Këshillit i përcillen për shqyrtim dhe vendimmarrje relacionet dhe gjetjet për vetëm 4 (katër) nga kandidatët që kanë aplikuar në vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe konkretisht:
- Altin Binaj.
- Artan Spahiu.
- Dedë Kasneci.
- Gentian Mete.
Ndërkohë që për këtë vend vakant kanë aplikuar jo 4, por 10 kandidatë. Nga shqyrtimi i listës së kandidatëve, nuk rezulton të jenë hartuar relacionet dhe të jenë përfshirë për shqyrtim në mbledhjen e KED-së të datës 16.09.2020 kandidatët e mësposhtëm:
- Shaqir Hasanaj
- Eugen Papandile
- Sonila Bejtja
- Zhaklina Peto
- Sergjio Mazniku
- Sinan Tafaj.
Natyrshëm lindin pyetjet: Cila është arsyeja ligjore dhe faktike, që shqyrtimi i këtyre kandidatëve nuk bëhet në të njëjtën ditë si kandidatët e tjerë? Cila është baza ligjore që KED ka vendosur t’i ndajë në disa faza shqyrtimin dhe verifikimin e të gjithë kandidatëve?
Kjo qasje, nëse është e Relatores znj. Miranda Andoni për të përcaktuar një rend dite për shqyrtimin e veçuar të disa kandidatëve dhe për disa të tjerë jo, është faktor kryesor për pengimin e përmbylljes së shqyrtimit të kandidaturave për këtë vakancë me objektivitet.Një ndarje e tillë, përveçse do të sjellë implikime të forta ligjore për veprimtarinë e KED-së, krijon dyshime për një proces selektiv të paramenduar dhe vonesë të qëllimshme në këtë proces.
Në nenet 237, 238 dhe 239 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikohet shprehimisht se:“Neni 237
Deklarimi dhe kontrolli i kushteve të tjera ligjore
- Jo më vonë se 35 ditë nga mbërritja e listave të kandidatëve dhe dokumenteve që i shoqëron ato, Këshilli për Emërimet në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore të parashikuara në ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në nenin 234, pika 1, të këtij ligji.
- Për këtë qëllim Këshilli dërgon kërkesa me shkrim në adresë të subjekteve publike dhe private, sipas nevojës.
- Me përfundimin e procedurës së verifikimit, Këshilli shpall në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, si dhe u komunikon individualisht kandidatëve rezultatin e verifikimit të kushteve ligjore, duke urdhëruar lejimin ose ndalimin e kandidimit.
Neni 238
Ankimet kundër vendimeve për ndalimin e kandidimit
- Ankimet kundër vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për ndalimin e kandidimit vetëm për shkelje të rënda procedurale bëhen në Gjykatën Administrative të Apelit jo më vonë se 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të kundërshtuar.
- Gjykata Administrative e Apelit vendos brenda 7 ditëve nga dita e dorëzimit të ankimit. Vendimi i saj është përfundimtar dhe i formës së prerë.
- Ankimi nuk pezullon zhvillimin e procedurës së vlerësimit dhe të verifikimit paraprak të kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas nenit 240 të këtij ligji.
Neni 239
Fillimi dhe afati për zhvillimin e procedurës së vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve
- Jo më vonë se 5 ditë nga përfundimi i procedurës së verifikimit, sipas parashikimeve të neneve 234 deri në 238, të këtij ligji, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi thërret mbledhjen e Këshillit.
- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve dhe bën renditjen e tyre jo më vonë se 10 ditë nga dita e mbledhjes.
- Këshilli qëndron i mbledhur deri në përfundim të procesit të vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve.”
Referuar këtyre dispozitave të ligjit, është e qartë se jo vetëm janë shkelur afatet proceduriale të ligjit, por njëkohësisht Këshilli e ka të detyrueshme që të përfundojë verifikimin e kandidatëve brenda së njëjtës mbledhje, në mënyrë që në përfundim të procedurës së verifikimit, Këshilli të shpallë në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë si dhe t’u komunikojë individualisht kandidatëve rezultatin e verifikimit të kushteve ligjore, duke urdhëruar njëkohësisht lejimin ose ndalimin e kandidimit.
Në rast se KED-ja do të vepronte me vendimmarrje të veçuara në kohë sipas njoftimit të rendit të ditës duke i ndarë në disa faza kandidatët, atëherë KED-ja do të shkelte patjetër përcaktimet e nenit 239, pasi për fashën e parë të kandidatëve të kualifikuar, do të duhet të kalonte brenda 5-ditëve në proces vlerësimi dhe pikëzimi, ndërkohë që për pjesën tjetër do të ishte në proces verifikimi.
Nëse KED-ja do të presë që të përmbyllë verifikimin e të gjithë kandidatëve, pastaj të kalojë në fazën e vlerësimit, detyrimisht do të ndeshemi me shkelje të dispozitave të ligjit.
Duket qartë se përcaktimi i rendit të ditës në këtë mënyrë, sipas njoftimit të bërë, do të sillte implikime proceduriale dhe shkelje të ligjit.
Presidenti i Republikës në të gjitha kërkesat e tij në mënyrë të përsëritur ka evidentuar nevojën se Këshilli të veprojë në mënyrë të pandërprerë dhe të përmbyllë shqyrtimin e kandidaturave për të tre vendet vakant brenda një kohe sa më të shkurtër. Është e pakuptimtë kjo mënyrë e zgjedhur për të fragmentarizuar punën në shqyrtimin e kandidaturave. Njëkohëshmëria e shqyrtimit të kandidaturave për një vakancë është detyrim ligjor.
Kjo qasje krijon një hije të rëndë dyshimi se anëtarët e Këshillit mund të jenë nën trysni nga faktorë të ndryshëm, të cilët po përpiqen ti diktojnë KED-së mënyrën/mënyrat që si pa kuptuar, mund të çojnë në dështimin e qëllimtë të procesit të përzgjedhjes së anëtarit për vakancën e tretë në proces shqyrtimi, apo së paku shtyrjen e këtij procesi sërish me disa muaj të tjerë.
Kjo situatë është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe kërkon mënjëherë marrjen e masave prej KED-së për rikthimin e situatës në brazdat ligjore. Kjo nënkupton që të mos pengohet puna për asnjë moment.
Këshilli duhet të vijojë punën në mënyrë të pandërprerë duke qëndruar i mbledhur dhe të përfshijë për shqyrtim në rendin e ditës të mbledhjes dhe relacionet me gjetjet edhe për 6 kandidatët e tjerë.
Veprimtaria e pandëprerë e Këshillit për të përmbyllur njëherazi shqyrtimin e të gjithë kandidatëve, nuk do të sillte vonesa në kohë, do të ruante të pashkelur afatet proceduriale ligjore dhe do të ruante të pacenuar legjitimitetin e produktit të tij.
Lidhur me pikën e caktuar në rendin e ditës me këtë përmbajtje “Diskutim për vlerësimin e njoftimit të organeve të emërtesës, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, për rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, vakanca të parakohshme”, i rikujtoj KED-së se:
Në lidhje me dy vakancat e parakohshme me kohëzgjatje deri në vitin 2022 që i përkasin për plotësim një Presidentit të Republikës dhe një Kuvendit, KED-ja në mbledhjet e datës 17 dhe 21 gusht 2020 ka shqyrtuar gjetjet mbi verifikimet e kryera të dy kandidatëve të fundit të mbetur në garë, zonjës Regleta Panajoti dhe zotit Shaqir Hasanaj.
Kjo pikë është përfshirë në rendin e ditës, ndërkohë që, nuk është përgatitur ndonjë informacion mbi faktin nëse pas vendimmarrjes së KED-së për ndalimin e kandidimit të këtyre dy kandidatëve, a ka filluar ndonjë proces gjyqësor në Gjykatën Apelit Administrative apo jo? Relatorët e këtyre dy vakancave zonja Arta Marku dhe zonja Saida Dollani do të duhej të përgatisnin një informacion të përbashkët paraprak për t’u njohur e shqyrtuar nga anëtarët e KED-së, Avokati i Popullit apo organet e emërtesës (President, Kuvend) që marrin pjesë në mbledhje me cilësinë e të ftuarit, ku të pasqyrohej ecuria e deritanishme e procedurave pas daljes të vendimve të KED-së.
Sipas nenit 238 të ligjit nr.115/2016, kandidatët e skualifikuar kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit Administrativ brenda 5 ditëve pas njoftimit të vendimit të arsyetuar. Nën këtë detyrim, është e nevojshme të sqarohet paraprakisht:
- A ka patur vonesa në zbardhjen e vendimeve të arsyetuara nga KED-ja dhe njoftimit të kandidatëve?
- Kur i është njoftuar kandidatëve vendimi i ndalimit nga kandidimi?
- A janë ende kandidatët brenda afatit për të parashtuar ankim?
- Ka ndonjë padi të regjistruar në Gjykatë, për të cilën është njoftuar KED-ja?
Përsa u përket këtyre të dhënave që lidhen thelbësisht me procesin për 2 vakancat e parakohshme ende në shqyrtim, Institucioni i Presidentit, si organ emërtese dhe institucion që merr pjesë si i ftuar në mbledhjet e KED-së sipas ligjit, nuk ka ndonjë njoftim zyrtar dhe për këtë çështje të rendit të ditës, nuk ka të njoftuar asnjë relacion të hartuar nga relatorët respektivë, zonja Arta Marku dhe/apo zonja Saida Dollani.Ndaj mbetet tepër e paqartë se çfarë do të shqyrtojë KED-ja për këtë pikë të rendit të ditës, kur kishte detyrimin të bënte me dije në mënyrë transparente ecurinë e procesit.
Edhe pse numri i kandidatëve për secilën nga këto dy vakanca ka zbritur nën numrin 3, sërish çdo kërkesë padi e depozituar në Gjykatë për kundërshtimin e vendimeve të KED-së për ndalim nga kandidimi, krijon një situatë ku përfshirja në rendin e ditës për vendimmarrje nga KED, pa pritur përfundimin e proceseve gjyqësore paragjykon mënyrën e përfundimit të këtyre proceseve gjyqësore.
Në lidhje me pikën 4 të rendit të ditës me objekt “Diskutim lidhur me “Njoftim qëndrimi” të përcjellë nga zoti Ardian Dvorani me e-mailin e datës 20.08.2020”, para së gjithash, i bëjmë me dije Zëvendëskryetares së KED-së se:
Institucioni i Presidentit të Republikës ka marrë dijeni për këtë akt të ish-anëtarit të KED-së dhe ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, zotit Ardian Dvorani, përmes medias së shkruar elektronike dhe audiovizive. Edhe pse ishte e detyrueshme që Institucioni i Presidentit të Republikës të vihej në dijeni zyrtarisht me një kopje të këtij qëndrimi, kjo nuk është bërë deri më tani nga KED-ja. Mbetem ende në pritje të administrimit në formë zyrtare të kopjes së këtij qëndrimi.
Në lidhje me këtë çështje, përfaqësuesi i autorizuar i Presidentit të Republikës më ka informuar se gjatë mbledhjes së datës 21.08.2020, edhe përse kjo çështje nuk ka qenë pjesë e rendit të ditës, janë vërejtur qasje nga disa anëtarë të KED-së për ta përfshirë menjëherë këtë çështje në rend dite dhe për të marrë vendim mbi të.
Sa i takon kësaj pike të rendit të ditës, edhe pse Zëvendëskryetarja është kujdesur ta paracaktojë me termin “diskutim”, pa përfshirë fjalën “vendimmarrje”, sërish përfshirja për diskutim në rend dite të KED-së është një shteg përmes së cilit po tentohet apo do të shfrytëzohet në mënyrë të dëshpëruar tashmë, të legjitimohet prezenca në veprimtarinë e këtij organi, e një individi i cili ka humbur çdo të drejtë për të qënë anëtar i KED-së.
Sjell në vëmendjen e KED-së se nën drejtimin e Presidentit të Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta, më datë 5 dhjetor 2019, në mbështetje të pikës 3 të nenit 149/d të Kushtetutës, nenit 221 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, është hedhur shorti për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të funksiononte përgjatë vitit 2020. Zoti Dvorani, si i vetmi anëtar në detyrë i Gjykatës së Lartë në momentin e hedhjes së shortit është zgjedhur apriori për shkak të ligjit, pa short, si anëtar i KED-së dhe rrjedhimisht sipas ligjit edhe ka ushtruar funksionin e Kryetarit të këtij organi.
Lidhur me humbjen e së drejtës për të qënë anëtar i KED-së pas vendimmarrjes së KLGj-së të datës 11 qershor për përfundimin e së drejtës së zotit Ardian Dvorani për të qëndruar në detyrë si Gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Presidenti i Republikës, si organi kushtetues që ka hedhur shortin e zgjedhjes së KED 2020 e ka shprehur qëndrimin dhe vlerësimin ligjor në letrën që ju është drejtuar me nr. 1117/2 prot., datë 10.04.2020, si dhe në qëndrimin e bërë me dije përmes letrës me nr. 735/3 prot., datë 04.09.2020, e cila bashkëlidhur përmban letrën nr. 735/2 prot., datë 26.08.2020, drejtuar SPAK-ut në lidhje edhe me këtë çështje.
Megjithatë, është me rëndësi për t’u evidentuar sërish fakti se, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka asnjë kompetencë të diskutojë dhe shqyrtojë, e aq më pak, të marrë vendim mbi këtë çështje. Baza ligjore mbi të cilën ushtron veprimtarinë KED-ja është neni 149/d i Kushtetutës, dhe nenet 220-242 të ligjit nr. 115/2016. Referuar kësaj baze ligjore, KED-ja nuk ka asnjë kompetencë që të diskutojë apo të shprehet me vendim lidhur me çështjen e ngritur nga zoti Dvorani, apo lidhur me natyrën e kërkimit të këtij të fundit.
Me veprimet e tij, ashtu sikundër ju të gjithë si anëtarë mund ta kuptoni, ai po tenton që të krijojë një tjetër incident të rëndë që do të sillte si rrezik delegjitimimin e veprimtarisë së KED-së dhe për pasojë, të çdo vendimmarrjeje të këtij organi. Një përpjekje e tillë shkon në funksion të qëllimit të tij fillestar të përmbushur me sukses deri në momentin që është larguar nga detyra, atë të zvarritjes së plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
Pjesëmarrja e tij në këtë proces rrezikon të prodhojë një incident akoma edhe më të rëndë, që lidhet me respektimin e parimit të procesit të rregullt ligjor dhe të gjykatës së formuar me ligj, shkelja e të cilëve sjell pasoja të drejtpërdrejta në vlefshmërinë e vendimmarrjeve të KED-së.
Jo vetëm ndonjë veprim, por edhe çdo diskutim që mund të lërë të hapur shtegun duke u vetinterpretuar si mundësi nga ish-anëtari i Gjykatës së Lartë për të marrë pjesë në veprimtarinë e KED-së në vijim, do të prodhonte një situatë anormale në dëmtim të rëndë të ligjshmërisë së proceseve në ndjekje nga ana juaj.
Përveç interesit të ngushtë personal të një individi, i cili ka ende etjen për t’u ndjerë pjesë e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme në sistemin e drejtësisë, çdo zhvillim i tillë do të ishte gjithashtu në funksion të qëllimit dashakeq të tërheqjes së vëmendjes publike në këtë drejtim, duke lënë jashtë vëmendjes dhe mbikëqyrjes publike gjendjen dhe përgjegjësitë e bllokimit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese apo shtyrjes sërish të këtij procesi.
Për më tepër edhe pse kjo çështje është përfshirë pa shkak ligjor në rendin e ditës për mbledhjen e datës 16 shtator 2020, asnjë informacion për anëtarët e Këshillit, Avokatin e Popullit dhe institucionet e ftuara nuk është përgatitur dhe nuk është njoftuar.
Siç Presidenti i Republikës ka evidentuar në shkresat e mëparshme që ju administroni është i pandryshueshëm fakti se, që nga momenti i vendimmarrjes së KLGJ-së të datës 11 qershor 2020 dhe njoftimit të kësaj vendimmarrjeje në datën 1.07.2020, kur shtetasit Ardian Dvorani iu bë me dije zyrtarisht nga KLGJ detyrimi për dorëzimin e detyrës, pasi atij i kishte përfunduar detyrimi për të qëndruar në detyrë si gjyqtar i Gjykatës së Lartë, ai nuk gëzon më as statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe as statusin e magjistratit. Duke humbur funksionin bazë si gjyqtar i Gjykatës së Lartë mbi të cilit zoti Dvorani u zgjodh ex officio si anëtar i KED-së ai automatikisht nuk mund të jetë më anëtar dhe/apo Kryetar i KED-së.
Përfshirja në rend dite dhe shqyrtimi i një çështjeje që në thelb është e zgjidhur dhe që nuk është kompetencë e KED-së, sidomos edhe në kushtet kur nuk është hartuar një material informues i plotë sipas ligjit, para së gjithash është kapërcim kompetencash dhe përbën shkelje të parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit që sjell implikime ligjore si për anëtarët e KED-së, ashtu dhe për vendimmarrjen e këtij organi.
Çdo lloj dyshimi mbi ligjshmërinë e vendimmarrjes së KED-së, ka ndikim negativ për të ardhmen europiane të vendit që nuk po arrin dot të përmbushë detyrimin kryesor, atë të ripërtëritjes dhe bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese.
Pa një Gjykatë Kushtetuese nuk garantohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe qytetarët e këtij vendi nuk kanë mundësi të mbrohen nga vendimmarrjet arbitrare dhe në shkelje të parimeve kushtetuese të organeve publike.
Në përfundim, më duhet të theksoj se, përveç faktit që copëzimi i shqyrtimit të kandidatëve për njërën prej vakancave është një veprim që nuk gjen asnjë mbështetje ligjore, shqetësues është gjithashtu fakti për të cilin jam informuar se, në mbledhjen e KED-së të datës 21 gusht 2020, pasi përfaqësuesi i Presidentit të Republikës është larguar dhe KED do të duhej të vijonte mbledhjen për diskutime me prezencën e vetëm të anëtarëve dhe të Avokatit të Popullit, anëtarët e KED-së kanë filluar një diskutim dhe në përfundim i kanë kërkuar përfaqësuesit të Avokatit të Popullit që të dalë nga mbledhja, me argumentin se mbledhjen lejohet ta ndjekë vetëm Avokati i Popullit personalisht dhe jo përfaqësuesit e tij.
Një veprim i tillë jo vetëm është një hap pas në transparencën e veprimtarisë së KED-së, por bie ndesh me të drejtën kushtetuese dhe ligjore që ka Institucioni i Avokatit të Popullit për të vëzhguar dhe për të qenë prezent përgjatë gjithë procesit. Kjo është dhe një ndër çështjet për të cilat u shpreh posaçërisht dhe Komisioni i Venecias në Opinionin për Shqipërinë “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, që në paragrafin 90, është shprehur se:
“[…] Transparenca është thelbësore për të fituar besimin e publikut në procedurat e emërimit, siç janë ato të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, KED shpërfilli praninë e detyrueshme kushtetuese të Avokatit të Popullit si vëzhgues qoftë në përzgjedhjen përmes shortit, qoftë edhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e KED-së (nenet 149 / d (3) dhe 179 (11) të Kushtetutës). […] Meqenëse diskutimet janë pjesë kryesore e “veprimtarisë” së KED, duket se Rregulli 41 është në kundërshtim me Kushtetutën, dispozitat ligjore të lidhura me të dhe me qëllimin për të siguruar besimin e publikut në procedurën e zhvilluar nga KED. Komisioni i Venecias rekomandon që KED ta ndryshojë këtë Rregull për procedurat e verifikimit dhe zgjedhjes së kandidatëve të ardhshëm.”
Komisioni i Venecias ka lënë dhe një rekomandim enkas për këtë çështje, duke u shprehur se:
“Rregulli 41 i vendimit nr. 4 të KED-së për procedurat e verifikimit dhe zgjedhjes së kandidatëve të ardhshëm duhet ndryshuar, në mënyrë që Avokati i Popullit të mund të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të marrë pjesë si vëzhgues për hir të transparencës dhe besimit të publikut në atë procedurë.”
Besoj këto citime mjaftojnë për t’ju risjellë në vëmendje kujdesin që duhet të tregoni në funksion të transparencës, por dhe ligjshmërisë, për të shmangur incidente të tilla në vijim.
Kushtetuta dhe Ligji parashikojnë se mbledhja ndiqet nga Avokati i Popullit, si institucion, dhe nuk kanë parasysh individin që eshtë emëruar në atë pozicion. Në këtë mënyrë është e natyrshme që Avokati i Popullit për arsye objektive nga më të ndryshme nuk mund të jetë prezent në ndonjë mbledhje dhe kjo legjitimon përfaqësimin e tij përmes personave të autorizuar. Çdo qasje e kundërt për të penguar sërish prezencën e Avokatit të Popullit është e papranueshme.
Edhe pse KED i ndryshoi aktet nënligjore për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, KED u kthye sërish në praktikën e vjetër, duke shkelur hapur parashikimet Kushtetuese, Ligjin nr.115/2016, si dhe vet vendimin e saj, duke ripërjashtuar institucionin e Avokatit të Popullit nga mbledhja e datës 21 gusht 2020.
Kjo është anomali edhe më e rëndë, që e ndërlidhur me veprimet e tjera, tregon se KED është shumë pranë rrëshqitjes sërish në paligjshmëri.
Në një situatë të tillë, Presidenti i Republikës vlerëson se është e nevojshme t’i kërkojë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ndreqjen e të gjitha problematikave si më sipër.
Procesi i shqyrtimit të kandidaturave për këto tre vende vakante (2 (dy) të Presidentit dhe 1 (një) të Kuvendit) që aktualisht ndodhen në proces verifikimi nga KED-ja që prej vitit të kaluar (2019), është e nevojshme të përmbyllet sa më parë, në mënyrë që organet e emërtesës të ndjekin më pas procedurat e tyre sipas Kushtetutës dhe Ligjit për emërimin/zgjedhjen e kandidatëve.
Në këto kushte, KED-së i kërkohet të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë dhe pa u ndikuar nga aktorë të ndryshëm, me qëllim përfundimin e të gjitha procedurave brenda muajit shtator 2020, për të tre vendet vakante që i përkasin Presidentit dhe Kuvendit, duke shmangur çdo vendimarrje antikushtetuese që do të impononte reagim dhe do të shkaktonte pasoja të pandreqshme ndaj këtij procesi jetik për vendin.